Live

Shkollat shqiptare në veri vazhdojnë mësimin, përveç njërës që po punon pjesërisht

15:09 / 12 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Të hënën, në një shkollë shqiptare në veri procesi mësimor është mbajtur pjesërisht, ndërsa në fshatrat tjera të banuara më shumicë shqiptare mësimi është duke u zhvilluar normalisht.

Për shkak të mungesës se sigurisë, më 12 dhjetor, procesi mësimor në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Kosovës, është mbajtur pjesërisht.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Gacaferri.

“Sot mësimi është mbajtur vetëm me ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, kurse me nxënësit më të rritur, nga klasa gjashtë deri të nëntën, nuk është mbajtur. Kjo për shkak se prindërit i kanë tërhequr fëmijët e rritur nga kodra në pjesën jugore të Mitrovicës”, tha ai.

Në këtë shkollë procesin mësimor në të gjitha paralelet e vijojnë 17 nxënës shqiptarë.

Sa i përket vazhdimit të mësimit të martën, Gacaferri tha se janë në kontakt më “prindërit e nxënësve”.

Përveç në këtë shkollë, mësimi në fshatrat tjera të banuara më shumicë shqiptare është duke u zhvilluar normalisht, tha nënkryetari i komunës se Mitrovicës se Jugut, Arian Tahiri.

Ai tha se për shkak të tensioneve të veri të Mitrovicës janë në koordinim më institucionet e sigurisë edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Nëse rekomandohet nga organet e sigurisë se mësimi duhet të ndërpritet ne do marrim një vendim të tillë. Normal që qytetarët janë më të shqetësuar për sigurinë e tyre, por që mësimi është duke vazhduar”, tha ai.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, mësimi është ndërprerë në shkollat fillore dhe të mesme serbe – në katër komunat në veri të Kosovës. Ato nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Kështu i tha REL-it paraditen e së hënës drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX./REL

Shpërndaje në

U Kopjua