Live

Shpallja e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës bëhet më 16 dhjetor

10:54 / 07 Dhjetor 2022

Nga admin

Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, tashmë ka caktuar datën 16 dhjetor 2022 për shpalljen e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës.

Me anë të një parashtrese, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë njoftuar që shpallja e aktgjykimit do të jetë publike dhe do të bëhet në mes të orës 9:00 dhe 10:30 të datës së caktuar.

Trupi gjykues ka njoftuar që në bazë të Rregullës 159 (1) të rregullës, vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë ditësh (90) pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, përveç nëse rrethanat kërkojnë kohë shtesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, DhSK në njoftimin e saj ka theksuar që shpallja e aktgjykimit do të bëhet në emër të popullit të Kosovës dhe në prezencë të të akuzuarit përveç nëse rrethana të jashtëzakonshme arsyetojnë mungesën e tij.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua