Live

Shqetësimet për sigurinë në veriun e Kosovës mes debateve për zgjidhje politike

22:20 / 06 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, shprehu shqetësimin të hënën për situatën e brishtë në veriun e vendit të banuar kryesisht nga pjesëtarët e pakicës serbe.

Situata mbetet e tensionuar në veri, pasi fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb.

“Mendoj se kjo ishte kriza më serioze me të cilën është përballur Kosova në veçanti veriu i saj për dhjetë vitet e fundit”, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, Lars-Gunnar Wigemark, shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Ai tha se situata mbetet e paqëndrueshme dhe paralajmëroi se kriza mund të përshkallëzohet lehtësisht.

Rreth 130 pjesëtarë të policisë së EULEX-it dhe rreth 160 policë shqiptarë po kujdesen për sigurinë në zonë, përfshirë edhe patrullimet më këmbë, pasi të gjithë përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në muajin nëntor.

Qeveria në Prishtinë ka thënë se nuk do të lejojë rikthimin në detyrë të oficerëve të policisë që kanë dhënë dorëheqjen dhe në vend të kësaj do të mbushë boshllëkun me pjesëtarë të policisë nga pjesë të tjera të vendit, derisa të punësohen oficerë të rinj nga pakica serbe.

Shpërndaje në

U Kopjua