Nuk është vetëm Franca e shqetësuar nga rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë.
Vëmendjen te ky fenomen e ka tërhequr edhe kryeministri i Irlandës, Leo Vardkar, i cili deklaroi se qytetarët shqiptarë dhe ato gjeorgjianë janë shtysa kryesore në rritjen e kërkesave për azil me të cilën po përballet vendi i tij.
Shefi i ekzekutivit irlandez u shpreh se emigrantët nga të dy këto vende udhëtojnë në shumë prej rasteve drejt Irlandës me dokumente të rreme.
Mediat vendase shkruajnë se qytetarët e nacionalitetit shqiptar dhe atij gjeorgjian, konkurrojnë bindshëm edhe me sirianët.
“Qeveria po shton kontrollet në aeroporte për t’i ndaluar që të vijnë këtu dhe i kemi kërkuar linjave ajrore që t’i kthejnë pas”, u shpreh kryeministri.
Ka shumë mënyra për të hyrë në Irlandë në mënyrë të ligjshme, ndaj nuk do t’i tolerojmë ato ilegale, ka shtuar ai, transmeton TCh.
Sipas të dhënave të Eurostatit, 26% më shumë shqiptarë kërkuan azil për të parën herë në një nga vendet e BE-së gjatë 3 muajve të parë 2019.