Presidenti i SHBA Joe Biden do të takohet virtualisht të premten me liderët e tjerë të G7 dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “për të vazhduar koordinimin e përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën e saj”, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.
“Një vit më parë, ky grup u mblodh, vetëm pak orë pasi tanket ruse u futën në Ukrainë, për të imponuar kosto të paprecedentë ndaj Putinit dhe miqve të tij”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. “Ne kemi punuar së bashku për t’i ofruar Ukrainës ndihmën e sigurisë, ekonomike dhe buxhetore, humanitare dhe energjetike që i nevojitet.”
Ajo shprehu lavdërime për Japoninë, e cila mban presidencën e G7 këtë vit, dhe dha një ndihmë ekonomike prej 5.5 miliardë dollarësh duke e quajtur vendin “një aleat të palëkundur” në përpjekjet për ndihmë ndaj Ukrainës.
“G7 është bërë një spirancë e përgjigjes sonë të fortë dhe të bashkuar ndaj Rusisë”, shtoi Jean-Pierre. “Nesër, udhëheqësit do të diskutojnë se si ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të rrisim presionin ndaj Putinit dhe të gjithë atyre që mundësojnë agresionin e tij”./abcnews.al