Live

Shtimja, Ferizaj dhe Vitia përfituan nga mbështetja e BE-së për efiçiencë të energjisë

18:00 / 15 Mars 2023

Nga Kosova Live

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Emin Duraku” në Shtime, Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj dhe Shkolla Fillore dhe Mesme e Ulët “Bafti Haxhiu” në Viti, janë ndër 80 objektet përfituese të aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.

Në komunën e Shtimes u përfundua projekti për efiçiencë energjetike në shkollën fillore “Emin Duraku”, në vlerë mbi 198 mijë euro. Po ashtu, një projekt i tillë përfundoi edhe në shkollën fillore “Bafti Haxhiu” në komunën e Vitisë, në vlerë mbi 123 mijë euro. Përfituese nga ky projekt ishte edhe “Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj” në vlerë mbi 103 mijë euro.

Disa nga masat që përfshihen në këto projekte janë për izolimin e jashtëm të objektit, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, sistemin e ri të ngrohjes me pelet.

Shefja e Sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Evropiane në Zyrën e BE në Kosovë, AnnaCarin Platon u shpreh sot e lumtur që Masat e Efiçiencës së Energjisë kanë pasur efektin pozitiv në ndërtesa.

Platon tha se do të vazhdojnë me këtë masë edhe për familjet që janë me në nevojë.

“Na kanë bërë shumë përshtypje nxënësit këtu dhe puna që po bëni në këtë shkollë. Ne jemi gjithashtu shumë të kënaqur që shohim përfitimet nga rreth 200,000 euro që kemi investuar këtu në Masat e Efiçiencës së Energjisë, si në izolim, dritare të reja, dyer të reja. Kjo është pjesë e një pakoje më të madhe prej rreth 13 milionë euro për investime të ngjashme për sa i përket Efiçiencës së Energjisë në ndërtesat e komunave. Ne sapo kemi transferuar këstin e parë të paketës së mbështetjes 75 milionëshe për energjinë dhe kjo do të shkojë kryesisht për familjet në nevojë për të lehtësuar efektet e krizës energjetike, për bizneset e vogla dhe të mesme, dhe për ekonomitë familjare për masat efiçiente të energjisë, siç janë pajisjet më efikase për ngrohje, energjia diellore, izolimi dhe masa të tjera të efikasitetit të energjisë”, tha Platon.

Zëvendës-udhëheqësja e zyrës së Bankës Botërore, Elene Imnadze gjatë vizitës në shkolla tha se po vëren mjedis të përmirësuar mësimor falë projektit në fjalë.

Imnadze gjatë diskutimit me fëmijët në klasa, u shpreh e lumtur që ata po arrijnë të kuptojnë rendësinë e klimës, mjedisit dhe kursimit të energjisë.

“Efiçienca e Energjisë është sigurisht e rëndësishme, sepse ndihmon në uljen e kostove dhe kursimin e energjisë, veçanërisht duke pasur parasysh krizën energjetike që po shpaloset, por gjithashtu ndihmon në uljen e ndotjes, që është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm dhe nëpërmjet këtyre investimeve ne ndihmojmë në krijimin e vendeve të punës, ndihmojmë në krijimin e aftësive, aftësive të reja që janë të rëndësishme për të ardhmen. Në këtë shkollë në veçanti isha shumë e kënaqur që pash një mjedis të përmirësuar mësimor. Një nga pankartat këtu thotë “kurse energji për brezin e ardhshëm” dhe ne mund ta shohim tashmë këtë brez, një brez i ardhshëm që përfiton nga investimet e para, dhe gjithashtu të mësuarit e rëndësisë, thëniet që dëgjuam në klasë, theksojnë vërtet se këta fëmijë vegjël e dinë plotësisht rëndësinë e klimës, rëndësinë e mjedisit, rëndësinë e kursimit të energjisë për veten e tyre, për të ardhmen dhe rëndësinë e arsimit që ata mund të marrin në këto rrethana të përmirësuara”, tha Imnadze.

E pranishme në këto përuruime ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila u shpreh e lumtur që me këtë projekt po arrijnë të rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve.

Rizvanolli theksoi se efiçienca e energjisë është një ndër prioritetet në strategjinë e energjisë.

“Një investim për rreth 200 mijë euro, mirëpo i cili ka përfitime të shumfishta edhe për shkollën dhe komunën. Është e rendësishme që nxenësit tani do të kenë më ngrohtë gjatë dimrit, do të jenë më rehat. Po ashtu, u informuam nga drejtori i shkollës se për herë të parë mësimi po mbahet pa reduktime për shkak të kësaj rritje të komforit që është një ndikim direkt edhe në mësimnxënie dhe në cilësinë e jetës. Fillimi i punimeve në 80 objektet është bërë që nga viti i kaluar dhe ne si qeveri jemi shumë të kënaqur edhe me ndihmën që e kemi marrë nga BE dhe Banka Botërore dhe me punën e fondit, i cili pas një kohe që ka qenë praktikisht jofunksional me një hov po i bënë gjithë këto punë në kohën e duhur kur neve më së shumti na duhen investimet në efiçiencë. Efiçienca e energjisë është një ndër prioritetet në strategjinë tonë të energjisë që sapo është miratuar, kështu të gjitha këto janë plotësisht në përputhje me synimet tona afatgjata aty ku duhet të jemi pas shumë dekadave në këtë drejtim”, tha Rizvanolli.

“Investimi këtu kap shumën rreth 200 mijë euro, sipërfaqja e shkollës është mbi 4 mijë e 300 m2 dhe përfitues direkt nxënës dhe mësimdhënës janë mbi 724. Këtu janë ndërmarrë masat si izolimi i plotë përfshirë edhe sistemin e ngrohjes, valvulave si dhe një pjesë zëvendësimi i ndriçimit. Ne do të vazhdojmë në përputhje me strategjinë e energjisë të ndërmarrim masat e tilla. Ne në Komunën e Shtimës kemi edhe projekte tjera të cilat janë në proceset në vijim”, tha Ismaili.

Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se përmes këtij fondi u mundësohet nxënësve dhe mësimdhenësve cilësi dhe komoditet më i mirë për të zhvilluar mësimin.

“Është një nga projektet më të rendësishme që kemi përurar kohëve të fundit që do t’i shërbejë nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle në përmirësimin e kushteve në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, tha Aliu.

Sipas IPA 2017, Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë euro për Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga Banka Botërore me qëllim të mbështetjes së operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) në infrastrukturën publike komunale, duke përfshirë ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.

Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milionë euro/vit.

Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë” të financuar nga BE-ja prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për Efiçencën e Energjisë do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.

Bashkimi Evropian kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031) në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...