Një protestë e planifikuar për datën 1 mars në Hagë është shtyrë pasi Trupi Gjykues ka marrë vendim që gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve të fillojë më 3 prill.
Shqiptarët e diasporës të cilët do të protestojnë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje, janë në pritje të lejes së re për protestë nga autoritetet holandeze.
Ata planifikojnë të mblidhen në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale më 3 prill, në ditën kur zyrtarisht fillon gjykimi ndaj Hashim, Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë” është thirrja e protestës që synon të mbledh shqiptarë nga anë e mbanë bota.
Shqiptarë të diasporës po shprehen të pakënaqur me proceset që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas tyre, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces politik.
Ata nuk kundërshtojnë gjykatën, por i bëjnë asaj thirrje për vendosje të drejtësisë ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Në një intervistë, Raif Istogu, që është një nga organizatorët, kishte deklaruar se përmes protestës synojnë t’i tregojnë botës që janë në përkrahje të ish pjesëtarëve të UÇK-së.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ish krerët e UÇK-së qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.