Për 15 pacientë të institutit Onkologjik përkujdeset vetëm një infermiere.
Mungesë të stafit të mesëm ka edhe në klinikën e Infektives dhe në Ortopedi, madje në Radiologji ka shtatë vjet që nuk është punësuar asnjë infermier, ndërsa 9 pozita të tilla janë liruar, por nuk janë zëvendësuar.
Përfaqësuesi i sindikatës së QKUK-së thotë se është e pamundur të arrihet cilësia e shërbimeve me pak infermierë.
“Një sallë e cila është me 20 pacient aty janë vetëm dy infermier duke marrë terapinë dhe është e pamundur që të ketë shërbim të mirë për ata pacient, aty janë dy salla dhe kjo është shumë e pazakontë”, tha Agron Kryeziu, nënkryetar i Sindikatës së QKUK-së.
Menaxhmenti i SHSKUK-së tash e sa kohë nuk jep leje për xhirime brenda klinikave, as sot nuk e ka aprovuar kërkesën e RTK-së për intervistimin e infermierëve që përballen me fluks të shërbimeve, por këtë mangësi e konfirmon edhe Oda e Mjekëve.
“Ka dy vite që QKUK nuk i ka zëvendësuar vendet e lira, ato që kanë dalë në pension. E kam dëgjuar se drejtori në Ortopedisë i cili ka thënë se ka nevojë edhe për 20 infermierë”, ka thënë Naser Rrustemi, kryetar i Odës së Infermierëve.
Mosha mesatare e infermierëve në QKUK konsiderohet të jetë 53 vjet. Dy konkurset e hapura për infermierë nga QKUK-ja kanë dështuar ndërsa Oda e Infermierëve vazhdimisht kanë bërë kërkesa tek institucionet përgjegjëse për shtim të numrit të infermierëve.
Sipas statistikave të Sindikatës së QKUK-së, Kosova dhe vendet e rajonit kanë nevojë edhe për 5 mijë infermierë të punësuar./rtk