Live

Si do të dukej Serbia pa mbështetjen europiane?

10:10 / 25 Janar 2023

Nga Kosova Live

“Heqja e regjimit pa viza për mua do të thoshte se vendit po i bie vlera dhe po largohemi nga Bashkimi Europian”, tha Vladimir Tripiq, një qytetar nga Beogradi.

Më 23 janar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u njoftoi qytetarëve se Serbia përballet me mundësinë e heqjes së regjimit pa viza, si dhe ndalimin e integrimeve europiane dhe investimeve.

Këtë, tha ai, ia ka lënë të kuptohet nga ekipi i diplomatëve europiano-amerikanë gjatë bisedimeve të 20 janarit, nëse Beogradi nuk e pranon planin franko-gjerman, pra të Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, transmeton Gazeta Express.

Pas kësaj bisede, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme ta pranojë konceptin dhe të punojë në zbatimin e planit europian.

Tri ditë më vonë, më 23 janar, ai deklaroi se mund t’u kishte thënë bashkëbiseduesve se nuk do të bisedonte, por se do të ishte çështje javësh kur do të hiqet regjimi i Serbisë pa viza me BE-në.

Regjimi pa viza i Serbisë me BE-në ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009. Që atëherë, qytetarët e Serbisë nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në 27 shtete anëtare të BE-së, si dhe në tre vende që nuk janë anëtare të BE-së, por janë pjesë e zonës Schengen.

Qytetari serb Vladimir Tripiq tha për REL se kjo do të nënkuptonte gjithashtu një rritje të kostove që nuk kanë shumë kuptim për njerëzit që duan të udhëtojnë.

“Kjo ndoshta do të thotë se unë do të kufizoj numrin e udhëtimeve sepse do të urreja të aplikoja për vizë çdo herë”, shtoi ai.

I pyetur se çfarë do të thotë ndalimi i investimeve, ai u përgjigj se mendonte se “në përgjithësi nuk është një rrugë e mirë për të ecur”.

Velinka Aljinoviq, qytetare nga Beogradi, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo shpesh udhëton pasi që punon në teatër por edhe privatisht.

“Nuk e pranoj këtë, është torturë”, ishte përgjigjja e saj kur u pyet se çfarë do të thotë rikthimi i vizave të udhëtimit.

Për V. K. nga Beogradi, emri i plotë i të cilit dihet nga redaksia e REL, kthimi i vizave do të nënkuptonte heqjen e lirisë së lëvizjes dhe lirisë në përgjithësi.

“Mendoj se për ne do të thoshte rikthim në një periudhë të jetës që të gjithë donim ta harronim dhe ta kalonim”, tha ajo.

“Është sikur je i burgosur sepse nuk mund të lëvizësh lirshëm si të duash dhe ku të duash dhe kur të duash, por je i kushtëzuar nga pengesa të ndryshme, që do të ishin vizat në këtë rast”, shtoi ajo.

Bashkimi Europian është investitori dhe donatori më i madh i Serbisë

Gruaja nga Beogradi V.K. beson se qytetarët e Serbisë nuk e dinë se BE-ja është një nga investitorët më të mëdhenj dhe donatori më i madh i fondeve për Serbinë.

“Nëse largohet, nuk dua të mendoj për këtë, ne mezi i mbijetuam viteve të 90-ta si psikofizikisht ashtu edhe financiarisht,” tha ajo.

Gjatë viteve 1990, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Serbia ishte nën izolim dhe sanksione ndërkombëtare për shkak të rolit të saj në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve tha se “nuk ka sanksion më të keq se tërheqja e investimeve”.

Duke përsëritur se BE-ja është investitori dhe donatori më i madh i Serbisë, Vuçiq përmendi si një shembull se 600 milionë euro priten nga BE-ja për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë nga Beogradi në Nish në jug të Serbisë.

Paraprakisht ministri i Financave Sinisha Mali kishte paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në për një donacion prej 600 milionë eurosh për këtë projekt infrastrukturor në muajin shkurt.

Për momentin, Serbia ka vetëm një hekurudhë të shpejtë nga Beogradi në Novi Sad.

Pasojat e tërheqjes së mundshme të investimeve

Igor Novakoviq nga fondi joqeveritar ISAC tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia në 20 vitet e fundit është integruar aq shumë me BE-në sa që heqja e regjimit pa viza dhe ndalimi i investimeve do të krijonte probleme të mëdha për qytetarët dhe ekonomisë.

“Do të ktheheshin radhët para ambasadave dhe konsullatave, që do të ishte një tregues shumë i qartë se në njëfarë mënyre po kthehemi në një kohë para vitit 2010, pra në vitet e 90-ta kur Serbia ishte e izoluar”, tha ai.

Për më tepër, ndërprerja e integrimeve evuropiane, siç tha ai, do të ishte një sinjal për investitorët se Serbia nuk është vend i sigurt për investimet e tyre.

“Një pjesë e mirë e investimeve që ka tërhequr Serbia në dhjetë vitet e fundit me shumë mundësi do të tërhiqen dhe kjo do të nënkuptonte edhe goditje për bizneset vendase që punojnë me to”, vlerësoi Novakoviq.

Ai tha se një numër i mirë i kompanive vendase janë ose furnizues ose partnerë të kompanive europiane dhe perëndimore që operojnë në Serbi.

“Ata do të humbnin biznesin e tyre, që do të thoshte se papunësia në Serbi do të rritej jashtëzakonisht”, tha Novakoviq.

BE në Serbi në shifra

Bashkimi Europian vazhdon të jetë lider në investimet e huaja direkte në Serbi.

Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Serbisë, të disponueshme për nëntë muajt e vitit 2022, investimet nga vendet e BE-së përbënin një të tretën e investimeve totale.

BE-ja mban pozitën e parë për nga vlera e investimeve të huaja në Serbi për më shumë se 10 vjet. Në dekadën e mëparshme, investimet nga BE-ja përbënin 63 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte.

Bashkimi Europian është partneri më i madh i tregtisë së jashtme të Serbisë. Rreth 65 për qind e eksporteve serbe vitin e kaluar shkuan në vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe më shumë se gjysma (54 për qind) e importit të përgjithshëm të mallrave në Serbi ishte nga BE-ja, sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave nga dhjetori 2022.

Përveç kësaj, që nga viti 2001, përmes disa instrumenteve dhe fondeve të ndryshme, BE-ja ka dhënë më shumë se tre miliardë euro grante për Serbinë për të mbështetur reformat, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Integrimit Europian.

Kjo mbështetje synon reformat e nevojshme në rrugën drejt BE-së në fusha të ndryshme.

Përveç kësaj, Serbia ka një marrëveshje për tregti të lirë me vendet e BE-së që nga viti 2009 në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Çfarë thanë përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard, kanë deklaruar më 24 janar se nuk flitet për masa ndëshkuese apo sanksione në rast se nuk pranohet plani franko-gjerman për Kosovën.

“Ne nuk kemi një qasje ndëshkuese ndaj Serbisë, nuk po flasim për ndonjë sanksion apo shantazh, ne vetëm po paraqesim një mënyrë për të dalë nga kjo situatë, e cila jemi të sigurt se do të jetë e dobishme për rajonin dhe për njerëzit”, tha Cochard në një intervistë të përbashkët me ambasadorin Konrad për televizionin Prva.

Ai tha se në rast mospranimi do të ketë pasoja, por se këto nuk janë sanksione.

Ambasadorja gjermane Anke Konrad deklaroi se BE-ja nuk ka qasje në sanksione në lidhje me integrimin europian.

“Ne duam të mbështesim përmes BE-së dhe të ndihmojmë në mënyrë dypalëshe rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Europian dhe kjo është e gjitha”, tha ajo.

Derek Chollet, këshilltari special i Departamentit Amerikan të Shtetit, i tha REL-it më 19 janar se anëtarët e ekipit europiano-amerikan të diplomatëve ishin shumë të qartë nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova, në lidhje me pritshmëritë e larta që kanë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Por ne jemi gjithashtu shumë të qartë me ta për mundësitë e mundshme që mund të shfaqen kur kemi një marrëveshje të tillë”, tha Chollet.

Tash për tash Serbia po i vuan pasojat e para. Ajo nuk ka hapur asnjë grup të vetëm në negociatat e anëtarësimit në BE për një vit. Arsyeja është se ajo nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij më 23 janar pranoi se “Serbia është në radarin e të gjithëve sepse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

Vuçiq tha se lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe në “qasjen e mprehtë me ndjenjën e urgjencës” me të cilën po përballet Serbia në lidhje me Kosovën, sepse në BE “nuk ka asnjë tolerancë për asnjë lloj kërcimi në kuptimin politik”.

Shpërndaje në

U Kopjua