Sipas fjalëve të gazetarit Andi Bushati, Albin Kurti nuk e ka parë si kurth ndërhyrjen e Edi Ramës në pushimin pas pjesës së parë të takimit. Ndonëse i ishin treguar reagimet pasi Edi Rama publikoi fotografinë me të dhe me aktorin Gerard Depardieu, Kurti kishte dalë i kënaqur nga bashkëbisedimi me aktorin që është mik i afërt i Putinit.
Më në fund Kurti e takoi të premten mbrëmë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili vitin e fundit në Kosovë është përfshirë sa herë që Presidentit Hashim Thaci i është dashur një avokat për ta mbrojtur pa kushte në idenë për ndryshimin e kufijve me Serbinë.
Rama për ta deklaruar botërisht takimin disaorësh me Kurtin, kishte zgjedhur një fotografi nga “pushimi” i bisedës që thuhet se temë ka pasur ekonominë. Në fotografi ishte edhe aktori francez, Gerard Depardieu, i cili, përvec artit, njihet edhe për miqësinë dhe admirimin që e shpreh ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Gazetari Andi Bushati pjesën e shkrimit për takimin e Kurtit me aktorin francez te kryeministri i Shqipërisë, e nis me “e stilin e tij të njohur, Rama e ka ndërprerë për pak kohë bisedën maratonë me Albinin, për të futur në zyrë aktorin e kontravers francez, Xherar Depardjë, që po xhiron një film në Gjirokastër”.
Derisa Kurti po vazhdonte takimin me Ramën, fotografia po shpërndahej në të gjitha anët; Kurti në fotografi me shokun e Putinit.
Kurti vetë nuk ka dhënë akoma shpjegim për takimin me mikun e njohur të presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas fjalëve të Andi Bushatit, Kurti nuk e ka parë si kurth ndërhyrjen e Ramës në pushimin pas pjesës së parë të takimit.
“Ishte interesant Depardjë dhe i këndshëm në bisedë”, citohet të ketë thënë Kurti në një takim me Bushatin dhe gazetarë të tjerë të Shqipërisë që i takoi pas Ramës.
Fotografia e mes pjesëve të takimin u publikua nga Rama, për t’u shpërndarë më pas nga ata që kishin pritur ‘gabimin’ e parë të Kurtit.
Deputeti i AAK’së, Bekë Berisha, ka deklaruar disa herë në media se “do t’ia nxijnë jetën” Kurtit si kryeministër. Anëtarët e AAK’së dhe kabineti i kryeministrit në detyrë, iu sulën Kurtit të parët.
Këshilltari Halil Matoshi ka shkruar se fotografisë po i mungonte edhe shkrimtari Peter Handke, që u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsi, e cili ishte mik me ish-liderin kriminel serb, Sllobodan Millosheviq.
“Porse, fitografia familjare e Edvinit dhe Albinit (Sic!?) me aktorin francez, nuk e plotëson mozaikun pa Peter Handken, mikun tjetër të Miloševićit!?”, ka shkruar Matoshi.
Ndërkaq Rama takimin me aktorin francez e ka quajtur të veçantë, e ka njoftuar se ai në Shqipëri po e xhiron një film me titull “Unë dhe Millosheviqi”.
“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin ‘Unë dhe Millosheviçi’”, shkroi Rama.
Depardieu ka pasur takime të tjera me liderë ballkanikë më parë. Ai e kishte takuar presidentin serb, Aleksandër Vuciq, dhe e kishte falëndëruar që po ndjek rrugën e Rusisë, ku ai jeton.