Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se i është pranuar kandidatura për anëtarësim në Këshillin Evropian të Sindikatave të Policisë, CESP.
“Në qershor të këtij viti kemi adresuar një letër interesi për anëtarësim në Këshillin Evropian të Sindikatave të Policisë CESP, ku me një mbështetje nga kryetari Ricardo Valadas dhe nga anëtarët e Byrosë, sa i përket Republikës së Kosovës dhe Statusit të saj në Këshillin e Evropës më 27-28.10.2022 në Samitin e Madridit – Spanjë u ra dakord dhe u votua nga anëtarët e Byrosë që Sindikata e Policisë së Kosovës mund të hidhet për votim në takimin e radhës së Komitetit Ekzekutiv për të marrë momentalisht Statusin e Vëzhguesit në CESP.
Më 04.11.2022 kur është bërë hapja e Lojërave Sportive në nder të policëve të rënë në detyrë, nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Sindikatave Policore (CESP), z. Marian Kicev, na u kumtua lajmi pozitiv se Sindikatës së PK-së i është pranuar kandidatura për anëtarësim në CESP”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Policisë thekson se sapo Kosova të marrë statusin e anëtarit në KE, çështja e bashkimit të Sindikatës së Policisë së Kosovës me CESP do të vihet përsëri në rendin e ditës.
“Aktualisht dhënia e statusit të vëzhguesit për Sindikatën e Policisë së Kosovës u votua unanimisht nga anëtarët e Byrosë”, thuhet në njoftim.