Hulumtimet nga organizata të ndryshme, konkretisht nga ORCA, tregojnë se rreth 50 punime të 16 profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë përmbajtje të plagjiaturës. Situata në fjalë vlerësohet se është shqetësuese për njohësit e fushës së arsimit sepse, sipas tyre, çështja në fjalë është rezultat i mosndëshkimit.
Dhjetëra punime të disa profesorëve në Universitetin e Prishtinës, kanë rezultuar se kanë prezencë të plagjiaturës. Sipas të dhënave të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, janë rreth 50 punime të 16 profesorëve në Universitetin e Prishtinës që kanë përmbajtje të plagjiaturës. Dibran Hoxha, nga kjo organizatë, i tha Radio Kosovës së gjendja në Universitetin e Prishtinës në këtë drejtim, është alarmante pasi që në të gjitha nivelet, ka plagjiatorë.
“Gjendja është tejet alarmante në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Deri më tani ne kemi zbuluar një numër të madh të plagjiaturave e që janë rreth 50 punime të 16 profesorëve me përmbajtje të plagjiaturës. Masat për këto plagjiatura kanë qenë që profesorët në fjalë mos të mentorojnë tema të diplomave edhe përkundër që ata kanë bërë vjedhje akademike dhe kjo është skandal në vete”, deklaroi Hoxha.