Mediat në Serbi shpesh befasojnë me aftësinë e tyre për t’u “skandalizuar”. Kësaj here bëhet fjalë për Alon, e afërt me regjimin e Vuçiqit, që po skandalizohet për dy flamuj privatë që janë shpalosur afër një hoteli ku po qëndron presidenti i tyre.
“Edhe para ardhjes së tij (presidentit Vuçiq) ka ndodhur një skandal. Përballë hotelit ku supozohet se do të qëndrojë Aleksandër Vuçiq gjatë konferencës në Davos, gjendet një flamur me Shqipërnë e Madhe dhe një tjetër i Kosovës,” – shkruhet në këtë deklaratë.
Sipas këtij mediumi, kjo pritje për Vuçiqin është “qartazi një pritje armiqësore për presidentin e Serbisë!”
Në Davos të Zvicrës po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nuk dihet nëse margjinat e këtij forumi do të ketë edhe një takim mes tij dhe Vuçiqit.
Kurti është ankuar vazhdimisht javët e fundit që BE-ja nuk ka organizuar takime të reja mes tij e Vuçiqit përkundër që ishin premtuar takime të përmuajshme prej 18 gushtit të vitit të kaluar.