Largimi nga grupi në rrjetin social Snapchat i kushtoi me rrëmbim dhe rrahje, 25-vjeçarit, A.M., nga Klina.
Shokët e tij, Meriton Raci, Jetmir Gashi, Mirlind e Hamit Lezi, me të cilët njihej qysh moti, dyshohet se e kidnapuan dhe e rrahën të riun pasditen e 17 janarit.
Motivi i rastit lidhej me dyshimin e tyre se A.M., ua kishte shpërndarë disa fotografi të cilat ata i kishin dërguar në grupin e Snapchat-it.
Një ditë para rastit kritik, Meriton Raci kishte shkuar me armë zjarri te vendi i punës së 25-vjeçarit, për t’i kërkuar llogari për fotografitë që ishin shpërndarë në rrjete sociale. Pasi A.M. e kishte mohuar se fotogratitë janë publikuar nga ai, Meriton Raci ishte larguar, duke i thënë se kishte shkuar aty me planin për ta vrarë.
Ani pse, 25-vjeçari mendoi se kjo bisedë sqaroi gjithçka, ky konflikt nuk kishte marrë fund për Meriton Racin, i cili u shfaq sërish të nesërmen. Të martën e 17 janarit, pasi e përfundoi orarin e punës, A.M., pranoi një telefonatë nga Jetmir Gashi. Pa e pasur fare idenë se çfarë e priste, 25-vjeçari e pranoi ftesën dhe ende pa e ndërprerë telefonatën me Jetmirin, një automjet i tipit Pick-up ndaloi para këmbëve të tij.
Automjetin po e drejtonte Mirlind Lezi. Jetmir Gashi që e kishte telefonuar 25-vjeçarin ishte ulur në ulësen e pasagjerit, ndërsa mbrapa ishin Meriton Raci e Hamit Lezi. Pasi e detyruan që të futej brenda me forcë, automjeti vazhdoi rrugën për në Dresnik të Klinës, në një vend larg shtëpive. Me të arritur në destinacion, grupi nisi zbatimin e planit.
Meritoni nxori telefonin për ta xhiruar skenën, ndërsa Mirlindi nisi ta godasë të riun, duke e ofenduar dhe akuzuar se ia ka shpërndarë fotografitë e familjes. Goditjet ndaj A.M vazhduan edhe nga Jetmiri e Hamiti, për rreth shtatë minuta. Pasi kishin përfunduar punë me të, Mirlindi e kishte detyruar 25-vjeçarin që të futej sërish brenda automjetit, për ta kthyer afër vendit ku e kishin rrëmbyer.
A.M. kishte zbritur afër stacionit të Policisë në Klinë dhe pak metra pasi që kishte kaluar, Pick-up ishte kthyer sërish, kësaj radhe që Mirlindi ta bënte një kërcënim. Këto kërcënime e kishin frikësuar A.M i cili kishte shkuar në shtëpi dhe nuk ia kishte rrëfyer rastin askujt. Ngjarjen familja e tij dhe i gjithë qyteti e kishin kuptuar pasditen e 18 janarit, kur video e rrahjes ishte publikuar në rrjete sociale.
Pa qenë fare në dijeni, A.M ishte kontaktuar nga babait i tij, i cili kishte kërkuar të kuptonte se çfarë ka ndodhur. Për ta sqaruar këtë rast, A.M mori edhe një telefonatë nga stacioni policor në Klinë. Kontaktin e fundit me të dyshuarit, që dikur i kishte shokë, e kishte pasur pak minuta pasi ishte kontaktuar nga policia.
A.M. kishte telefonuar Jetmir Gashin, për t’i kërkuar llogari për shpërndarjen e videos së rrahjes dhe për ta paralajmëruar se do t’i denoncojë të gjithë në polici. Pasi mori deklaratën e tij dhe raportin e ekzaminimeve mjekësore, Policia nisi punën e saj për arrestimin e të dyshuarve. Pas përfundimit të masës së ndalimit, Prokuroria bëri kërkesën për paraburgimin e të dyshuarve, por kjo kërkesë u refuzua nga Gjykata Themelore në Pejë.
KIKS ka pyetur edhe Gjykatën Themelore në Pejë për arsyet e refuzimit të kësaj kërkese, por nga kjo gjykatë nuk kanë dhënë përgjigje konkrete. Derisa ankesa e Prokurorisë po trajtohet nga gjykata e shkallës së dytë, burime të afërta me 25-vjeçarin i kanë thënë Kiksit se ai po ka frikë se rasti mund të përsëritet. Këto burime kanë bërë të ditur se që nga nata kur ka ndodhur rasti, A.M. ka ankthe të vazhdueshme.
Kiksi ka kontaktuar me 25-vjeçarin, por ai ka refuzuar që të flasë para kamerës për këtë rast.