Bjellorusët do ta zgjedhin sot përbërjen e re të kuvendit. Favoritë për numrin më të madh të ulëseve janë përkrahësit e presidentit Alyaksandr Lukashenka, ndonëse në garë po marrin pjesë edhe shumë kandidatë nga partitë opozitare.
Këto zgjedhje po mbahen në kohën kur vendi i Evropës Lindore ndodhet në një udhëkryq të madh politik. Moska po i bën presion Minskut për bashkëpunim më të ngushtë ushtarak dhe ekonomik, duke e shtyrë presidentin që t’i rrezikojë lidhjet me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
Lideri bjellorus, i cili e ka udhëhequr shtetin me rreth 9.5 milionë banorë për 25 vjet, do të përballet me zgjedhje presidenciale në vitin e ardhshëm në kohën kur të gjithë po pyesin se edhe sa kohë do të zgjasë pushteti i tij autoritar.
Më shumë se 500 kandidatë do të garojnë për një ulëse në Kuvendin Kombëtar që ka vend për 110 deputetë. Më shumë se 200 kandidatëve të tjerë, shumica e të cilëve vinin nga partitë opozitare, u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje me arsyetimin se nuk kanë siguruar numër të mjaftueshëm të nënshkrimeve valide.
Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga OSBE-ja, e cila në vitin 2016 kishte thënë se gara e kaluar është përcjellë me disa parregullsi dhe me mungesë të transparencës, shkruan “Free Europe”.