Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot do të mbajë mbledhje. Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi në parim i Projektligjit për Zyrtarët Publik dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Ndryshe këto dy ligje janë propozuar nga qeveria e Kosovës.
Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.
Kurse Projektligji për Pagat në Sektorin Publik, ka qëllim që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik si dhe të krijojë një sistem të pagave dhe shpërblimeve, transparent dhe të menaxhueshëm ku elementi kryesor është paga bazë.