Live

Spahiu thotë se Plani franko-gjerman ka edhe njohjen de-jure

20:39 / 09 Mars 2023

Nga Kosova Live

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se plani franko-gjerman e ka edhe njohjen de jure.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një interviste ku e komentonte planin në fjalë dhe negociatat Kosovë-Serbi.

“Propozimi franko-gjerman është formulë ku njohja de facto dhe de jure e Kosovës këmbehet me një autonomi për serbët, me të madhe sesa ata e gëzojnë me Kushtetutë. Kërkesa e serbëve është autonomi më të madhe, e shprehur për Asociacion, por cili do të jetë niveli i saj, në mes të kërkesës që kanë serbët që të jetë tip i Republika Sërpskas dhe pozicionit ku qëndron Kosova, ka një dallim shumë të madh”, deklaroi ai në KTV.

Ndryshe, I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten dhe të premten qëndron për vizitë në Prishtinë.

Sipas njoftimit nga Brukseli, Lajçaku vjen me qëllimin që siç u tha të vazhdojë diskutimet si pjesë përcjellëse e takimit të nivelit të lartë që ngjau më 27 shkurt në kryeqytetin e BE-së dhe përgatitjeve për mbajtjen e tjetrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tema kyçe e bisedimeve me palë të ndryshme do jetë aneks-plani i zbatimit të krejt pikave të propozimit evropian për ujdi që u pajtua si dokument i pandryshuar.

Nga 11 nene që ka propozimi evropian, në skenën politike e shoqërore kosovare neni më i diskutuar është ai me numër shtatë.

Aty flitet për përkushtimin e të dyja palëve në arritjen e ujdisë specifike e garancive sipas përvojave evropiane për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Si dhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

E në nenin dhjetë thuhet mes tjerash se palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar krejt ujditë e mëparshme në dialog.

Lajçaku të hënën dhe të martën e 13 dhe 14 marsit do qëndrojë në Beograd.

Shpërndaje në

U Kopjua