Të paktën 32 persona janë vranë në Jemen nga një sulm që kryen rebelët Huthi në një paradë ushtarake të kadetëve të rinj. “Al Xhazira” raporton se parada në qytetin port Aden, ku ndodhet edhe Qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht u sulmua me raketa dhe dron.
Rebelët Huthi thanë se parada ushtarake ka qenë pjesë e përgatitjeve të forcave pro-qevritare për sulme të reja në territorin e kontrolluar nga ta, në veri të Adenit.
Por, sipas qeverisë, ajo ishte një ceremoni diplomimi për ushtarët e rinj.
Luftimet në Jemen kanë nisur në vitin 2014, kur lëvizja shiite Huthi ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë.
Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.
OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.