Gjashtë persona u vranë të premten, nga të shtënat me armë zjarri në një qytet të vogël në Misisipi, në jug të Shteteve të Bashkuara. I dyshuari fillimisht hapi zjarr në parkingun e një dyqani në Arkabatla, një komunitet me pak më pak se 300 banorë, duke vrarë një burrë.
Më pas ai shkoi në një shtëpi aty pranë dhe vrau ish-gruan e tij. Policia gjeti gjithashtu dy trupa të tjerë të pajetë në një shtëpi pranë shtëpisë së autorit dhe besojnë se viktimat ishin anëtarë të familjes së të dyshuarit.
Policia gjithashtu ka gjetur një person të vdekur në makinë dhe një tjetër në rrugë, duke e çuar numrin e viktimave në gjashtë.
Autoritetet thanë se i dyshuari është identifikuar si Richard Dale Crum, një burrë 52-vjeçar, i cili është akuzuar për vrasje.
“Ne besojmë se ai veproi vetëm”, tha guvernatori i Mississippi, Tate Reeves në një postim në Twitter, duke sqaruar se motivet e sulmuesit ende nuk dihen.
Guvernatori gjithashtu u bëri thirrje banorëve që të luten për viktimat e këtij akti tragjik të dhunës dhe për familjet e tyre.
“Mjaft”, ka qenë reagimi i presidentit amerikan Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë gjatë natës.
Biden vuri në dukje se në një periudhë 48-orëshe në vitin 2023, “kombi ynë ka pësuar tashmë të paktën 73 incidente të personave të armatosur që hapin zjarr mbi turmat e njerëzve”.
“Mendimet dhe lutjet nuk mjaftojnë”, theksoi presidenti amerikan, duke shtuar se “dhuna me armë është një epidemi dhe Kongresi duhet të veprojë tani”.
Biden kishte reaguar duke thënë “mjaft” edhe të martën, pas tre vrasjeve të kryera nga një person i armatosur në një kampus universitar në Michigan.
Pavarësisht përparimeve të guximshme në legjislacionin për kufizimin e armëve, Joe Biden ka kërkuar, pa dobi, që Kongresi të rivendoste ndalimin mbarëkombëtar të pushkëve që ishte në fuqi në 1994 dhe 2004.
Megjithatë, presidenti demokrat po përballet me republikanët, të cilët e kanë cilësuar si të drejtë kushtetuese mbajtjen e armëve.