Live

Sulmi në Serbi, reagojnë në MPJ: Vuçiq predikon agresion ndaj shqiptarëve, jemi të shqetësuar

17:40 / 09 Janar 2023

Nga Kosova Live

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Liza Gashi, ka reaguar pasi një autobus me mërgimtarë u sulmua në Serbi, ndërsa ai po shkonte për në Dortmund të Gjermanisë.

Gashi tha se janë të shqetësuar shumë nga ky sulm dhe e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për “agresion ndaj shqiptarëve”.

“Dje, një autobus i mbushur me pjesëtarë të diasporës që udhëtonte nga Kosova në Gjermani u sulmua me gurë teksa kalonte nëpër Serbi. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. Megjithatë, ne jemi shumë të shqetësuar nga sulmi dhe dënojmë motivet pas agresionit”, shkroi Gashi.

“Republika e Kosovës kundërshton çdo kërcënim me bazë etnike ndaj qytetarëve dhe diasporës së saj. Është e qartë se regjimi i Vuçiqit dhe predikimi i tij për agresion ndaj shqiptarëve të Kosovës ende vazhdon me pasoja potencialisht të rënda”, shtoi zëvendësministrja.

Shpërndaje në

U Kopjua