Një i burgosur ka sulmuar me mjet të mprehtë një të burgosur tjetër në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes, ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se dje rreth orës 10:15, pas përfundimit të shëtitjes në korridorin e Pavijonit 1, në Qendrën Korrektuese të Dubravës, i burgosur B.T ka sulmuar me një mjetë të mprehët të burgosurin B.A”, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, bëhet e ditur se falë reagimit të shpejtë të stafit, i burgosuri B.T nuk ka arritur t’i shkaktojë lëndime serioze të burgosurit tjetër B.A.
“Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët janë duke u marr me rastin, rast të cilin e kanë cilësuar si lëndim i lehtë trupor, ndërsa ndaj të burgosurit B.T është iniciuar procedura disiplinore”.
Shërbimi Korrektues i Kosovës gjithashtu ka njoftuar se ka formuar komisionin hetimor, i cili është duke hetuar rrethanat e ngjarjes.