Live

Suspendohet krejt zinxhiri përgjegjës për rastin e foshnjës së vdekur në Pejë

21:17 / 21 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Drejtori mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, Muhamet Haliti, ka njoftuar se lidhur me rastin foshnjës së vdekur e cila e mbështjellur në çarçafë është futur në rrobalarëse brenda këtij spitali, është suspenduar i gjithë zinxhiri përgjegjës.

Përmes një prononcimi për Paparacin, ai tregoi se në këtë zinxhir nuk ka pasur mjekë të suspenduar.

Mes tjerash, ai tha se për këtë rast janë të njoftuara të gjitha institucionet, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Po, ka pasur suspendime. Punëtori që ka qenë përgjegjës për punën që ka pasur. I gjithë zinxhiri që ka qenë përgjegjës është suspenduar”.

“Nuk ka pasur mjekë të suspenduar. Të gjithë janë të njoftuar, edhe Ministria edhe ShSKUK-ja”, u shpreh ai.

Këtë rast e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se kanë nisur hetimet.

Ai e konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur është futur në lavatriçe.

“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhente që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur”, tha ai.

Rastin për Paparacin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se po kryhen hetime nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektoriati i Shëndetësisë.

“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorёt e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit dhe inspektorёt e shendetёsisё” thuhet në përgjigjen e Policisë.

Shpërndaje në

U Kopjua