Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia nuk ka të ndalur me fushata dezinformuese, sipas tij, me qëllim që t’i arsyetojë veprimet kriminale
“Fushata dezinformuese e Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale nuk ka të ndalur. “Lajmet” e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serbë. Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sipas tij, fushata dezinformuese se një ish-polic në Mitrovicën e Veriut është arrestuar dhe se janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit, vërteton edhe njëherë nevojën që barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se normaliteti duhet të kthehet sa më parë në këtë zonë.
Ai tha se prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit.
“Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrat e organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojë të jetë vigjilente në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftimin e krimit në çdo kohë”, ka shtuar ai.