Live

Sveçla: Nuk do të tolerohet dhuna ndaj policisë, rasti në Leposaviq po hetohet

16:38 / 23 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas ngjarjes në Bistricë të Leposaviqit, për të cilin policia njoftoi se u pengua nga një veturë gjatë kryerjes së detyrave të saj dhe si rrjedhojë u detyrua të qëllonte me armë zjarri.

Sveçla ka shkruar se për këtë rast po zhvillohet një hetim dhe Inspektorati Policor është i përfshirë aktivisht.

Ndërsa ka shtuar se nuk do të tolerohet asnjë formë dhune ndaj policisë.

“I brengosur thellë për incidentin e fundit në Leposaviq. Dy persona me veturë tentuan t’i shmangen postbllokut policor. Ata goditën me dashje veturën e PK-së dhe vunë në rrezik jetën e policëve. Policët e PK-së u detyruan të qëllojnë në drejtim të automjetit për të neutralizuar situatën”, ka shkruar ministri në Twitter.

“Një hetim është duke u zhvilluar dhe Inspektorati Policor i Kosovës është i përfshirë në mënyrë aktive. Dua të jem i qartë: asnjë formë dhune ndaj policisë sonë nuk do të tolerohet. Mbrojtja e qytetarëve dhe zbatimi i ligjit është prioriteti ynë kryesor”, ka përfunduar Sveçla.

Shpërndaje në

U Kopjua