Live

Tahiri : Jemi të vendosur në konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale

11:57 / 13 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Ministri në dorëheqje i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka pritur të martën në një takim u.d. së shefin të EULEX-it, Bernd Thran, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e institucioneve të sundimit të ligjit mes Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Gjatë këtij takimi Tahiri ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për konfiskimin e të gjitha pasurive të fituara me vepër penale.

“Ndër politikat më të rëndësishme që kam drejtuar si Ministër i Drejtësisë, ka qenë ajo e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale. Sot jemi të vendosur për ta parë drejtësinë në vepër, në konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga krimi e korrupsioni”, ka thënë Tahiri.

Ministri Tahiri shtoi se me zbatimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të marrë karakter të fuqishëm dhe të pa kompromis.

“Si shoqëri ne ende kemi sfida që burojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive, përveç ndjekjes penale, është edhe konfiskimi i çdo pasurie të fituar me krim dhe korrupsion, nga gjësendet e imta deri tek asetet multimilonëshe. Ne do ta bëjmë ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë armë kryesore kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Zbatimi i këtij ligji duhet të marrë karakter të fuqishëm dhe për këtë, prokurorët dhe gjyqtarët që shërbejnë në sistemin e drejtësisë po përgatiten e duhet të përgatiten edhe më tej”, ka thënë Tahiri.

Shpërndaje në

U Kopjua