Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se sulmet e linçimet ndaj Ganimete Musliut janë të patolerueshme.
Tahiri ka thënë se këto sulme nuk i takojnë asgjëje me çka historikisht populli ynë ka shfaqur karakterin e vet.
“Kuvendi është forum i debatit të hapur e të lirë, ku shtrohen pikëpamjet politike për çështje vitale për të sotshmen dhe të ardhmen. Sulmet e linçimet publike nga militantët e pushtetit ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, znj. Ganimete Musliu, për shkak të fjalës së lirë të saj si përfaqësuese e qytetarëve në seancën e fundit të Kuvendit, jo vetëm që janë të pa tolerueshme, por nuk i takojnë asgjëje me çka historikisht populli ynë ka shfaqur karakterin e vet.” – ka thënë Tahiri.
Ai tutje ka thënë se mentaliteti i qeverisë aktualisht me Kosovën, e ka degraduar traditën e mirëfillte politike.
“Mentaliteti që qeverisë aktualisht me Kosovën, e ka degraduar traditën e mirëfilltë politike, pikërisht duke nxitur e mësyrë fushata të linçimit e fyerjes, ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohet narracionit të pushtetit. Kjo frymë është anti-demokratike, anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. Nuk është sakrifikuar për këtë vend, që t’iu mbyllet goja deputetëve të zgjedhur. Nuk do ta lejojmë kurrë që ky vend të bëhet i tillë, ku një pushtet instrumentalizon militantë për të ofenduar e kërcënuar deputetë që i ka mandatuar qytetari”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri tutje ka thënë se si PDK qëndrojnë në mbrojtje të vlerave të demokracisë dhe në mbrojtje të Musliut.
“Si Grup Parlamentar i PDK-së, ne qëndrojmë në mbrojtje të vlerave të demokracisë dhe në mbrojtje të koleges sonë, si dhe kërkojmë distancimin urgjent të Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo gjuhë e paprecedent e urrejtës që po ushtrohet ndaj deputetes Musliu”, ka përfunduar deputeti i PDK-së.