Live

Tahiri: Vetëvendosjen e ka kapur paniku, zgjedhjet i fiton PDK

07:43 / 07 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i frikësohet zgjedhjeve dhe fitores së PDK-ës. Sipas tij PDK është ajo që do të fitojë zgjedhjet dhe do ta udhëheqë me vendin  edhe për një mandat tjetër.


Këto komente Tahiri i ka bërë në një shkrim në Facebook, duke reaguar ndaj thirrjes së Albin Kurtit për një koalicion të gjerë të partive opozitare. Kurti, ka thënë se një koalicion parazgjedhore mes tyre dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të rezultonte me fitore duke marrë 70 vota në Kuvend. Sipas Vetëvendosjes fitorja në këto zgjedhje do ta rikthente shpresën tek qytetarët.

Tahiri ka shtuar më tej se një koalicion i tillë do të ishte koalicion i panikut, dhe se Kurti po i frikësohet zgjedhjeve.

Ja postimi I Abelard Tahirit:

Para dy orësh, ra kambana e panikut. Albin Kurti dhe partia e tij e thyer kanë frikë nga zgjedhjet e veçmas nga ajo që i pret pas tyre. Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, “lideri shpirtëror” i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor. Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pa kapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione. Aventurë alla Don Kishot, me beteja, e pa beteja, me ankth e me festa, me iluzione e pa to, duke marrë vullnetin e popullit në duart e veta për të caktuar edhe numrin e deputetëve që populli medoemos duhet t’ia “prodhojë”. Pas zgjedhjeve, Albini dhe partia e tij e thyer, do përballen me disfatën e radhës, disfatën që do t’i peshojë aq sa vlejnë e jo aq sa mund të kamuflojnë. Qytetarët e Kosovës dhe nga sot zyrtarisht edhe ata individë që mund të kenë pasur dilemë, tashmë e kanë të qartë se pushteti nuk është aventurë që t’iu shërbehet atyre që s’besojnë as vetë se janë të denjë për të.

Shpërndaje në

U Kopjua