Live

Të afatizohet mandati i Gjykatës Speciale

09:59 / 29 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Shkruan: Augustin Palokaj

Kosova, e cila e ka themeluar Gjykatën Speciale me emrin e çuditshëm “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, duhet të caktojë një afat deri kur kjo gjykatë duhet t’i ngrejë aktakuzat dhe të mbyllet. Kanë kaluar aq shumë vite prej kur kanë nisur hetimet e ende nuk ka të akuzuar. Ndërsa me listën aq të gjerë të atyre që ftohen si “të dyshuar” fitohet përshtypja se kjo gjykatë do të punojë së paku edhe dhjetë vjet. Para pesë vjetësh, kryeprokurori i parë i “Task forcës speciale”, Williamson, i kishte thënë “Kohës Ditore” se i ka të gatshme dëshmitë dhe aktakuzat që do të mundë t’i ngrinte sapo të krijohet kjo gjykatë. Pas tij janë ndërruar edhe dy prokurorë dhe nuk ka ende ndonjë aktakuzë. Me këtë zhagitje, kjo gjykatë vetë ka krijuar hapësirë për dyshime se punon me motive politike dhe se, deshi apo jo, është duke ndikuar në proceset politike në Kosovë dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje dhe për këtë e ka përdorur ftesën për t’u intervistuar në cilësinë e “të dyshuarit” nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai është deri më tash personi në postin më të lartë politik që ftohet nga kjo gjykatë për intervistim. Kjo edhe një herë dëshmon se sa puna e kësaj gjykate, e krijuar nga vetë kosovarët, ndikon në proceset politike dhe jo vetëm politike në Kosovë.

Shpërndaje në

U Kopjua