Live

Të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ndodhi në Prishtinë janë dy të plagosurit

20:28 / 18 Mars 2023

Nga Kosova Live

Të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ndodhi këtë të shtunë në Prishtinë, janë dy personat që mbetën të plagosur e të cilët po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ajo ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e tyre.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, nën masat e sigurisë nga policia, pasi janë në trajtim mjekësor. Të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’, sipas KPRK-së”, ka deklaruar Ulaj.

Ndryshe, rasti tragjik ka ndodhur ë lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet, ku një person mbet i vrarë nga arma e zjarrit, ndërsa dy të tjerë u lënduan nga një mjet i mprehtë.

Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësorë ka dhënë detaje Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Sipas SHSKUK-së, njëri nga të plagosurit pas trajtimit nga ortopedi është liruar nga emergjenca, kurse tjetri me lëndime më serioze po vazhdon trajtimin.

“Zyra për Medie ju konfirmon se dy persona të lënduar kanë marrë trajtim mjekësor nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente. Njëri nga ta pas trajtimit nga ortopedi është liruar nga emergjenca, kurse tjetri me lëndime më serioze po vazhdon trajtimin nga ekipi mjekësor në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Torakale”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së. /Telegrafi/

Shpërndaje në

U Kopjua