Live

Të financuar nga Londra, si i dekonspironin operacionet agjentët brenda SHISH-it

16:30 / 12 Mars 2023

Nga Kosova Live

Një investigim i mediave britanike ka zbuluar se si informatorë të kompromentuar shqiptarë të njësisë të shërbimit sekret që operonte brenda SHISH-it, kanë arritur të dekonspirojnë operacionet dhe kalojnë informacionet sekrete grupeve rivale kriminale.

Sipas investigimit, operativë të korruptuar të njësisë sekrete të quajtur “Merlin”, kanë shkaktuar edhe vrasjen e një personi në kuadër të larjes së hesapeve mes dy grupimeve rivale të drogës.

Të paktën dy informatorë të tjerë të kësaj njësi sekrete kanë  kaluar informacion sekret tek grupet kriminale që ata përgjonin. Njësia “Merlin” e krijuar brenda shërbimit sekret shqiptar, SHISH në vitin 2000 pikërisht në kohën kur kanë filluar grupet kriminale shqiptare të operonin në Britani.

Kjo njësi paguhej nga taksapaguesit britanikë që nga krijimi i saj, dhe pjesëtarët e saj janë trajnuar në Britani, ndërkohë që aktiviteti i departamentit  monitorohej  nga një oficer kontakti i vendosur në Ambasadën britanike në Tiranë.

“Merlin” ishte aq i fshehtë, saqë edhe ekzistenca e tij mbeti e pa raportuar për 16 vjet deri në vrasjen e Denis Kasajt, anëtar i familjes së krimit të klanit Kastrati, i cili u qëllua në një Mercedes nga breshri i plumbave të automatikut çek Skorpion.

Vrasësi me pagesë Ilir Memushaj u dënua me 14 vjet burg në vitin 2017 për vrasjen për të cilën detektivët zbuluan se ishte kryer me kërkesë të një klani rival kriminal, Binjaku, si pjesë e një grindjeje të gjatë mes familjeve.

Të dy klanet kanë krijuar rrjete të mëdha droge në të gjithë Evropën, duke përfshirë Britaninë e Madhe.

Celulari tip Blackberry, i personit të armatosur kishte 12 fotografi të thirrjeve telefonike të transkriptuara të shënuara “sekret” të marra nga një agjent i “Merlin” përmes operacioneve të përgjimit. Gjatë këtyre telefonatave, gangsterët zbuluan detaje të Mercedesit, pasagjerëve të tij dhe saktësisht se ku do të ishte në momentin e të shtënave.

Një agjent i “Merlin” në terren më vonë doli në gjyq i akuzuar se ishte agjent i dyfishtë dhe se u shiste sekrete shtetërore kriminelëve. Ai u lirua pasi gjykatësi vendosi se nuk mund të provohej pa dyshim se ai kishte nxjerrë informacionin e inteligjencës pasi agjentë të tjerë të “Merlin” kishin akses në të njëjtin informacion.

Por gjykatësi zbuloi se informacioni i marrë nga klani Binjkau kishte ardhur nga një agjent në shërbim të “Merlin”. Në aktgjykim thuhej: “Është vërtetuar se të dhënat e marra nga pajisja Blackberry… janë të njëjta me ato të përpiluara nga organet e ndjekjes penale për transkriptimin e bisedave telefonike që vijnë nga përgjimet”.

Denoncuesi, i cili punon për Shish, përmendi dy agjentë të tjerë që punonin për “Merlin”, por që atëherë janë zhvendosur ose pushuar nga puna për shkak të dyshimeve se ata kishin nxjerrë informacione.

“Informacionet nga departamenti i tyre u shiteshin kriminelëve, përgjimet e paligjshme telefonike bëheshin pa miratimin e prokurorëve, me informacionin e marrë në USB flash drives ose si foto”, ka thënë ai. “Mendoj se informacionet ende rrjedhin. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ne mund të shihnim më shumë organizata kriminale të shpërbëra dhe më shumë pasuri të sekuestruara”, tha ai.

Ai është shprehur se financimi nga Britania vazhdon dhe se pa atë mbështetje “Merlin”  nuk mund të ekzistonte sot Ai është shprehur se puna për “Merlin”  është një ‘punë ëndrrash’ për agjentët shqiptarë, e kjo sipas tij për shkak të aksesit të saj të pakrahasueshëm në informacion dhe financimit dhe mbështetjes së gjerë të ofruar nga MB.

Sipas investigimit të Daily Mail, agjencia ka një drejtor dhe katër inspektorë që punojnë me agjentë të tjerë të Shish-it kur kanë nevojë për mbështetje për një hetim.

Një tjetër ish-oficer i Shish ka deklaruar për median britanike se drejtoria e “Merlin” ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

“Në një rast kur drejtori i Shish-it donte të zëvendësonte drejtorin e “Merlin”, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar erdhi disa herë në selinë e Shish-it duke kundërshtuar vendimin. Ai nuk u zëvendësua”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë kërkesave të Daily Mail lidhur me këtë lajm, Zyra e Jashtme Britanike dhe Shërbimi Informativ shqiptar, nuk kanë pranuar tu përgjigjen.

Këto zbulimet tronditëse vijnë pasi kryeministri Rishi Sunak muajin e kaluar u zotua të shpenzojë më shumë për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe krimin e organizuar nga Shqipëria.

Shpërndaje në

U Kopjua