Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës ku ditëve të fundit ka pasur shpërthime dhe përplasje nga ku ka mbetur i plagosur edhe një prej policëve shqiptarë.
Përmes një reagimi në facebook, Alibeaj shprehet se ngjarjet e ndodhura duket se lidheshin me një skenar për të krijuar një vatër tensioni.
“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të lartë situatën në Veri të Mitrovicës. Lajmet se goditje me armë ndaj forcave policore të Kosovës, ngritja e barrikadave, kundërshtimi i autoriteteve ligjzbatuese të Kosovës nga elementë të armatosur të organizuar të strukturave paralele serbe, duket se është një skenar i qartë që synon krijimin e një vatre të rrezikshme tensioni. Gjithashtu refuzimi i komunikimit dhe zgjidhjes së situatës me institucionet e ligjshme të Kosovës nga pala serbe duket se synon jo mbrojten e drejtave të popullatës serbe, por një ndarje defacto me bazë etnike të Veriut të Mitrovicës”-shkruan Alibeaj.
Mes të tjerash, ai shprehu mbështetjen e partisë Demokratike ndaj institucioneve të Kosovës dhe bëri thirrje për ndaljen e skenarëve për konfliktet që sipas tij janë krijuar nga qeveria serbe duke u kthyer në levë të interesave destabilizuese të Rusisë në Ballkan.
“Nga ana tjetër, paralajmërimi nga zyrtarë të nivelit të lartë në Beograd se planifikojnë dërgimin e mbi 1000 trupave ushtarake serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes në Ballkan.
Në emër të Partise Demokratike ne shprehim mbështetje të plotë për dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim final njohjen reciproke. Ne mbështesim pa asnjë hezitim institucionet legjitime të Kosovës në përpjekjet e zbatimit të ligjit, si dhe të mbrojtjes së sovraniteti dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Ne sot i apelojmë të gjithë aktorëve politikë në Kosovë për unitet, si dhe bashkërendim sa më të ngushtë me partnerë tanë strategjikë SHBA&BE në tejkalimin e kësaj situate.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe të ndalë skenarët e konfliktit e ndarjes me baza etnike në Kosovë duke u kthyer kësisoj në levë të interesave destabilizuese të Putin në Ballkan. Kosova është e pavarur, e paprekshme dhe e ardhmja e saj është përcaktuar në BE dhe NATO”- përfundon Alibeaj në reagimin e tij.
Në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, në veri të Kosovës një grup personash të maskuar sulmuan efektivin e policisë së Kosovës, Ekrem Nezirin i cili po trajtohet në spital për plagët e marra. Ndërkohë të gjithë krerët e shtetit bënë thirrje për zbardhje të incidentit të ndodhur dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.
Ngjarja e ndodhur, detyroi policinë e Kosovës të shtonte numrin e forcave të sigurisë në veri ndërsa kryeministrja serbe, Ana Brnabiç paralajmëroi gjithashtu se Serbia po konsideronte një rikthim të trupave ushtarake në Kosovë.