Live

Tërmkolli: Dokumenti i AShAK, i porositur nga pushteti aktual të cilit i shërben Kraja, sikur të tjerëve

17:58 / 22 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli e ka quajtur të porositur nga pushteti aktual në vend, dokumentin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ajo ka thënë se kryetari i këtij institucioni, akademiku Mehmet Kraja është në shërbim tyre.

“Në dokumentin e ASHAK si analizë për “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” ka çështje të shtruara drejtë e të cilat mund të debatohen apo edhe të pranohen si të tilla por ka edhe shumë çështje që rrëshqasin keq në të pavërteta madje në një përpjekje jo vetëm për ta ndryshuar historinë por edhe për t’i dhënë dikujt atribute të paqena duke krijuar një mendësi feudesh e krahinarizmash të rrezikshëm që kur dalin nga Akademia marrin dimensione tjera dhe pasoja shumë më të rënda”, është shprehur Tërmkolli.

“Ky shkrim, në fund të fundit del sikur është porositur nga pushteti aktual të cilit i shërben Kraja pa asnjë hezitim, sikur u ka shërbyer edhe pushteteve tjera”.

“Anshmëria, feudet e krahinarizmat pastaj vazhdojnë me “harresën” e Mehmet Krajës që ta përmendë edhe Abazoviqin, jo vetëm si përkrahës të “Open Balkans”, projekti më anti-shqiptar por edhe si shërbëtorin më besnik të Kishës Ortodokse Serbe.

Në këtë kuptim, çka po thotë Mehmet Kraja me “analizën” e tij në emër të Akademisë, çfarë mesazhi po përçon me të ?!”.

Ajo ka thënë se ky raport është përçarës dhe ka bërë thirrje për kujdes në atë që e thotë Kraja.

Shpërndaje në

U Kopjua