Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të mërkurën kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një takim të mbyllur për media. Pas takimit është deklaruar vetëm kryetarja e KQZ-së, e cila ka thënë se institucioni që ajo e drejton, është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve, kurdo që ato shpallen. Data e zgjedhjeve, sipas Dakës, nuk ishte temë e takimit me Presidentin, por ishin afatet kushtetuese, në rast se shpallen zgjedhjet.
Në anën tjetër për takimin ka njoftuar edhe Zyra për Shtyp e Presidentit përme një komunikate. Aty thuhet Presidenti ka thënë se kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejt me qeveri, ndërsa ka paralajmëruar takime edhe me partitë e tjera politike.
“Presidenti i vendit ka shprehur nevojën për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur sa më shpejt një qeveri funksionale e efektive”, thuhet në komunikatë.