Live

Torturuan për vdekje papagallin, dënohen me nga dy vite burg britaniket

10:00 / 05 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Dy gra që torturuan dhe vranë papagallin femër të një shoku janë burgosur nga një gjykatë britanike, ndërsa gjykatësi përshkroi mizorinë që ato treguan me krijesën e pambrojtur.

Tracy Dixon, 47 vjeç dhe Nicola Bradley, 35 vjeç, spërkatën zogun, një papagall gri afrikan i quajtur “Sparky”, me pastrues furre, e mbuluan me bojë dhe u përpoqën t’ia jepnin qenit. Më pas e futën në tharësen e rrobave dhe e ndezën pajisjen.

Të dyja të pandehurat u përpoqën të fajësonin njëra-tjetrën, por nuk arritën të bindin gjyqtarin që i dënoi me 25 muaj burg të martën e kaluar në Gjykatën e Kurorës Carlisle.

Sipas tij, të dyja gratë janë fajtore për “torturën sadiste” të papagallit që e vrau përfundimisht.

“Me të vërtetë është përtej mendjes sime se si një njeri mund të trajtojë një kafshë kështu.”

Zogu fatkeq i përkiste Paul Crooks , një miku i grave, i cili më 30 korrik priti dy gratë për disa orë në shtëpinë e tij. Sipas Guardian, dy femrat britanike i kishin telefonuar mikut të tyre për t’i marrë në orët e para të mëngjesit nga klubi i natës ku po qëndronin, sepse ishin shumë të dehura për të shkuar në shtëpi.

Pasi i çoi në shtëpi, Crooks shkoi në shtrat, ndërsa dy gratë vazhduan të pinin.

Kur Crooks u zgjua në 8:30 të mëngjesit, ai zbuloi se të ftuarat e tij kishin derdhur shkumë rruajtjeje mbi kafazin e Sparky. Burri pastroi kafazin dhe më pas u largua për të bërë pazar pasi i paralajmëroi dy gratë që të mos e prekin më kafshën e tij.

Kur u kthye, ai e gjeti zogun të pavetëdijshëm, me kokën e tij të vogël të varur nga kafazi. Në fillim gratë mohuan se kishin bërë diçka, por pas pak pranuan se e kishin spërkatur papagallin me lëndë pastruese dhe lustrim mobiljesh dhe se e kishin goditur me peshqir.

Në deklaratën e tij në gjykatë, Crooks tha se që nga incidenti ai ka pasur sulme të vazhdueshme paniku dhe ka probleme me gjumin. Siç shpjegoi ai, jeta e tij nuk është më e njëjtë pa “Sparkyn” karizmatike, e cila mund të këndonte “God Save The Queen” dhe fitoi zemrat e të gjithë atyre që e njihnin.

Shpërndaje në

U Kopjua