Trafiku Urban i Prishtinës ka konfirmuar se janë detyruar ta ndërprenë qarkullimin e autobusëve në kryeqytet për shkak të vandalizmit të disa të rinjve të cilët sulmuan autobusët.
Një nga autobusët e Trafikut Urban u dëmtua sonte nga disa persona që gjuajtën në drejtim të autobusit mjete të forta dhe vezë.
“Me keqardhje i informojmë qytetarët se për shkak të sulmeve dhe sjelljeve vandale nga disa grupe te rinjsh, u detyruam të ndërpritet qarkullimi në orën 21:15, në mënyrë që të evitohet dëmtimi i autobusëve të ndërmarrjes!”, thuhet në njoftimin e Trafiku Urban.
Sulmin ndaj disa autobusëve te Trafikut Urban e ka konfirmuar edhe Daut Hoxha nga Policia e Kosovës për Gazetën Express.
“Sot me datën 31.10.2019 duke filluar nga ora 17:00, policia ka marrë informata dhe ankesa të ndryshme nga qytetarët, se ne kryeqytet por edhe në disa fshatra, fëmijët e moshave të ndryshme po gjuajnë me vezë dhe mjete të forta (gur) autobusët e trafikut urban si dhe disa kombibus. Të gjitha njësitet kompetente policore janë angazhuar për identifikim dhe parandalim të këtyre rasteve dhe pavarësisht situatës po veprohet me intensitet te shtuar për menaxhim të rasteve pasi që sonte ka edhe lëvizje më të shtuar të fëmijëve. Natyrisht, Policia është e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve duke përfshirë edhe mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve të ndryshme, megjithatë rastet që raportohen për dëmtim të pronës do të trajtohen konform procedurave ligjore.”, ka konfirmuar Hoxha.
Për vandalizmin ndaj autobusit të Trafikut Urban ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë se në këtë formë nuk festohet askund.
Ahmeti ka thënë se kështu nuk festohet Halloween askund.
“Kështu nuk festohet Halloween askund! Festa është e fëmijëve me lëpiska e bonbone. Mos gjuani makinat!”, ka shkruar Ahmeti.
Autobusi dyshohet se u dëmtua nga fëmijët të cilët e kanë gjuajtur me ve.