Nga një projekt i shtetit për ndërtimin e 35 shtëpive për komunitetet në komunën e Ferizajt, kanë përfituar tre të afërm të ish-deputetit Danush Ademi, përfshirë motrën, xhaxhain dhe këshilltarin e tij. Ndërkohë që familjarë e të afërme të ish-deputetit kanë përfituar nga ky fond, janë edhe 10 familje të tjera që kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive, pasi që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Tre të afërm të ish-deputetit Danush Ademi, kanë përfituar shtëpi, nga një fond që është ndarë nga Qeveria e Kosovës, për ndërtimin e shtëpive për komunitetet.
Në listën e përfituesve, figurojnë Adile Mustafa motra e ish-deputetit nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës, Danush Ademi, xhaxhai i tij Nuredin Ademi dhe këshilltari Bajram Maiqi.
Fondi prej 3.2 milionë eurosh është ndarë nga Qeveria e Kosovës, me 2 shkurt të vitit të kaluar, për “Projektet për komunitetet e Grupit 6+”. Projekti do të implementohej nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me komunat 20 komuna.
Me të parashiheshin që të ndërtohen 273 shtëpi për pjesëtarët e komuniteteve.
Ndër komunat e para që filluan realizimin e këtij projekti, ishte komuna e Ferizajt. Kjo komunë sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqeniës Sociale, ka përfituar fondin rreth 420 mijë euro. Me këtë shumë llogaritej të ndërtoheshin 35 shtëpi për nevojtarët, shkruan Insajderi.
Gazeta e ka siguruar listën e përfituesve të ndërtimit të shtëpive dhe dosjen e këtij projekti që do të implementohej në Komunën e Ferizajt.
Aty figurojnë dy familjarët e ish-deputetit Danush Ademi, motra, xhaxhai si dhe këshilltari i tij.
Ish-deputeti Ademi nuk ka pranuar se këta tre persona që kanë përfituar nga ky fond janë të afërm të tij.
Ai ka treguar se motra e tij ka një shtëpi tashmë, por se është prapë përfituese e projektit. Sipas tij, komuna e ka pa të arsyeshme ta shpallë atë fituese pasi që e ka burrin e sëmurë.
“Po është e vërtetë që Adile Mustafa, është motra ime, ajo e ka burrin e sëmur, janë 9anëtarë dhe jetojnë krejt së bashku. Burri i saj është rrëzu prej katit të 10, dhe është i sëmurë,komuna e ka parë arsyshme me i ndihmu edhe i ka ndihmu”, ka thënë Ademi.
Ish- deputeti Ademi, thotë se nuk e din se çfarë kriteresh i kanë plotësuar, por e pranon se në atë listë gjinden edhe xhaxhi i tij, Nuredin Ademi dhekëshilltari i tij nga PDAK-ja, Bajram Maiqi.
“Po, Nuredin Ademi është axha im, ai është në listë sepse ka nevojë, edhe Bajram Maiqi është nëlistë sepse edhe ky ka nevojë”, tha Ademi.
Ndërkohë që në përfitues të këtyre shtëpive janë familjarët e Danush Ademit, zyrtarë të komunës së Ferizajt kanë konfirmuar se janë edhe dhjetë familje tjera nga komuniteti, që kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive, pasi që jetojnë në kushtet të vështira ekonomike.
Komuna e Ferizajt nuk tregon si i përzgjodhi përfituesit e shtëpive
Projekti me përfituesit e 35 shtëpive për komunën e Ferizajt ka qenë i ndarë në dy faza, e para është në prill të këtij viti për “Projektet e komuniteteve të grupit 6+” dhe ajo në maj me “projektet e komunitetit jo shumicë të cilët nuk janë pjesë e grupit 6+ dhe të listës serbe.
Komuna e Ferizajt, ka bërë marrëveshje mirëkuptimi me Ministrisë e Punës dhe Mirëqenies për financimin e projektit.
Në fazën e parë parashihej ndërtimi i 20 shtëpive do të bëhej për komunitetin ashkalinjë dhe një për komunitetin romë, sipas marrëveshjes mes Ministrisë së Punës dhe Komunës së Ferizajt. Vlera e tyre përllogaritej të ishte 252 mijë euro
Sipas kësaj marrëveshjeje, Ministria i zhvillon procedurat e prokurimit, përfshirë komisionin e hapjes dhe vlerësimit, nënshkrimin e kontratës, mbikëqyrjen e kompanisë fituese dhe menaxhimin e kontratës. Ky projekt parashihej të përfundon brenda këtij viti, por nëse ka vonesa ose moskryerje të punëve ministria mbetet përgjegjëse.
Derisa komuna obligohej të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projektit, përfshirë listën e përfituesve, lejet e ndërtimit, kyçjen në rrjetin elektrik, ujësjellës e kanalizim.
Në fazën e dytë të projektit ishte ndërtimi i 14 shtëpive tjera, 11 për komunitetin ashkalinjë dhe 3 për pjesëtarë të komunitetit egjiptian. Vlera e përllogaritur ishte 168 mijë euro.
Kjo komunë kishte përpiluar listën e përfituesve në muajin maj të këtij viti. Aty figurojnë edhe tre të afërmit e ish-deputetit Danush Ademi.
Zyra për informim përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se nuk u takon atyre të njohin e as të komentojnë përzgjedhjen e tyre.
“Të apostrofuarit, nuk na takon ne t’i njohim apo komentojmë, paçka janë lista të mbështeturanga Zyra e Komuniteteve dhe Kthimit dhe të vlerësuara nga Komisioni përkatës për përzgjedhjene përfituesve nga ky projekt”, thuhet në përgjigjen e komunës.