Live

“Trepça” në gjendje të rëndë, menaxhmenti: Po punojmë sa për të mbijetuar

16:22 / 31 Janar 2023

Nga Kosova Live

Gjiganti i dikurshëm, ndërmarrja “Trepça” është në gjendje të rëndë financiare, sociale e politike, kështu ka sot thënë kryesuesi i Bordit të kësaj kompanie, Bahri Hyseni, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Sfidë tjetër për “Trepçën” mbeten edhe çmimet e larta të energjisë elektrike, pasi që kjo kompani është futur në tregun liberal energjetik.

Drejtues të Trepçës kanë thënë se afarizmi i sotëm i kësaj kompanie është vetëm sa për të mbijetuar.

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit për periudhën 2019-2021 për performancën financiare dhe operative në “Trepçë”, Hyseni ka potencuar se investimet kapitale janë të domosdoshme në Trepçë. Ai ka shtuar se kjo kompani nuk mund të shkojë përpara pa investime kapitale.

“Nuk mundet “Trepça” pa investime kapitale të shkojë përpara, dhe ne nuk kemi forca akumuluese për shkak se “Trepça” ballafaqohet me borxhe të mëdha nga e kaluara. Këtu ndoshta është një lëshim i Zyrës Kombëtare të Auditimit, se në këtë rast është dashur me gjurmuar pak më shumë. Prandaj, e kemi vështirë të operojmë kur ne kemi çdo ditë trysni nga operatorët ekonomik ku secili kërkon pagesë… Sot “Trepça”, është në gjendje të rëndë edhe financiare, ekonomike, por edhe politike e sociale. U përmend këtu njësia e Trepçës në Leposaviq, ku sipas ligjit dhe statutit është njësi biznesore minierat me flotacion në Kopaunik dhe Leposaviç. Megjithatë, kemi avancuar në procesin e rivendosjes së raporteve, ku kemi një plan biznesi dhe marrim raporte vjetore. Kështu që kemi një komunikim që po insistojmë ngadalë ta inkuadrojmë në një njësi biznesore, e cila për arsye politike hezitohet të bashkëpunojnë ashtu siç e kërkon ligji për “Trepçën””, ka thënë ai.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Enis Abdurrahmani, ani se ka potencuar se ka rritje të të hyrave financiare në periudhën e fundit, ai ka thënë se “Trepça” po punon sa për të mbijetuar, raporton KP, transmeton Kosovalive.

“Aktualisht “Trepça” ka shumë sfida, një ndër to është kriza energjetike që atëherë kur kompania ka hyrë në tregun liberal. Sikur të mos kishim probleme me krizën energjetike dhe koston e lartë të saj, Trepça vitin 2022 do të përmbyllte me një bilanc rentabël. Kjo kompani ka rritur të hyrat financiare për 4 milionë euro, brenda vitit 2022 në raport me vitin 2021. Po ashtu, ka rritur prodhimin mbi 10 për qind, ka reduktuar shpenzimet operative për 18 për qind…Rezultati financiar i “Trepçës” për vitin 2021 ka qenë me 600 mijë euro humbje vjetore, ndërsa viti 2022 ka qenë vit rentabil (as humbje as fitim, zero zero)…Ne jemi në mbijetesën ekonomike financiare, po punojmë për me mbijetuar, përderisa nuk vijnë investimet. A ka potencial? Ka shumë. Kemi miniera jo aktive me rezerva shumë të pasura, një ndër to është miniera e Hajvalisë, miniera e Drazhnjes dhe miniera e Badovcit”, ka theksuar Abdurrahmani.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami ka pretenduar se humbjet financiare mujore në këtë kompani janë të mëdha.

“Dua të di se sa janë humbjet mujore tash në këtë periudhë, po raportohet se mbi 600 mijë euro janë humbjet mujore në periudhën në të cilën flet raporti. Pra, a ka humbje tani, a është duke operuar edhe tani “Trepça” me humbje tani në momentin kur po flasim. Po ashtu u përmend se përkundër faktit që është rritë prodhimi, koncentrat ka 20 për qind më pak për shkak të vjetërisë së makinerisë”, është shprehur ajo.

Drejtues të “Trepçës”, kanë thënë se raporti i auditorit për periudhën 2019-2021 paraqet një gjendje reale dhe janë zotuar se do t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e dala nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...