Live

Trupi gjykues e konfirmon dështimin e Prokurorisë në Hagë: Nuk i shpalosën në kohë provat shfajësuese

16:05 / 08 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale.

Trupi gjykues në një parashtresë e ka konfirmuar një dështim të Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Aty thuhet se Prokuroria ka dështuar t’i ofrojë në kohë provat shfajësuese për mbrojtjen.

“Trupi gjykues është i mendimit se, më shumë se dy vjet pas arrestimit të të akuzuarve dhe nisjes së gjykimit pas më pak se 40 ditë, konteksti i procedurës nuk e arsyeton më zbulimin e vonuar të provave shfajësuese për Mbrojtjen. Paneli gjithashtu rithekson se detyrimi i prokurorisë për t’ia zbuluar këtë lloj informacioni mbrojtjes është po aq i rëndësishëm sa edhe detyrimi për të ndjekur penalisht.”, thuhet në parashtresë.

Po ashtu, ky panel ka konstatuar se Prokuroria nuk i ka arsyetuar në mënyrë adekuate vonesat në shpalosjen e materialit në fjalë.

“Në veçanti, fakti që detyrimi për dhënien e informacioneve shfajësuese bazuar në Rregullën 103 është i vazhdueshëm ose “i përsëritur” nuk mund t’i justifikojë ato vonesa. Rregulla 103 kërkon që një material i tillë të shpaloset “menjëherë”, që do të thotë posa ai të jetë në posedim të prokurorisë dhe pa vonesë të panevojshme.”, ka konstatuar paneli gjykues.

Prokuroria është urdhëruar t’i trajtojë detyrimet e saj për shpalosjen e materialeve si prioritet që kërkon kohë dhe resurse në përpjesëtim me rëndësinë e saj.

Shpërndaje në

U Kopjua