Ukraina ka akuzuar dy ushtarë rusë për sulm seksual ndaj një vajze 4-vjeçare dhe dhunim në grup të nënës së saj nën kërcënimin e armëve dhe para syve të babait të saj, si pjesë e akuzave të gjera për abuzime gjatë luftës.
Sipas dokumenteve të prokurorëve ukrainas, të cilat janë parë nga agjencia “Reuters”, këto incidente janë në mesin e një vargu krimesh që ushtarët rusë të Brigadës së 15-të të Motorizuar të Pushkëve i kanë kryer në katër shtëpi të distriktit Brovary, afër kryeqytetit Kiev, në marsin e vitit të kaluar.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Numrat e telefonit të kësaj brigade nuk ishin në funksion. Dy zyrtarë të Garnizonit të Samarës, pjesë e të cilit është kjo brigadë, thanë se ata nuk mund të dhurojnë kontakte për këtë njësi, kur u kontaktuan nga agjencia. Njëri prej tyre tha se ato të dhëna janë të klasifikuara.
Gjatë përpjekjes së dështuar të Rusisë për ta marrë nën kontroll Kievin në ditët e para të luftës, ushtarët u futën në Brovary disa ditë më pas, duke plaçkitur e duke e përdorur dhunën seksuale si taktikë të qëllimshme për ta terrorizuar popullsinë, thonë prokurorët ukrainas.
“Ata i ndanë gratë paraprakisht, i bashkërenduan veprimet dhe rolet e tyre”- thanë prokurorët, dokumentet e të cilëve janë mbështetur në intervista me dëshmitarë dhe me të mbijetuar.
Shumica e mizorive të pretenduara ndodhën më 13 mars 2022, kur ushtarët “në gjendje të dehur me alkool, u futën në oborrin e shtëpisë, ku jetonte një familje e re”, sipas prokurorëve.
Babai u rrah me tenxhere metali, pastaj u detyrua që të ulej në gjunjë, përderisa bashkëshortja e tij u dhunua në grup. Njëri nga ushtarët i tha vajzës 4-vjeçare se “do ta bënte grua” para se ajo të abuzohej, thuhet në dokumente.
Kjo familje mbijetoi, edhe pse prokurorët thanë se janë duke hetuar krime shtesë në atë zonë, përfshirë vrasjet në të njëjtën periudhë.
Ushtarët ishin snajperistë të moshave 32 e 28-vjeçare, thuhet në dosje, ku shtohet se më i vjetri ka vdekur, ndërsa 28-vjeçari, i identifikuar si Yevgeniy Chernoknizhniy, është kthyer në Rusi.
Dy snajperistët ishin në mesin e gjashtë të dyshuarve që akuzohen për sulmet në Brovary. Prokurorët thonë se ky është njëri prej hetimeve më të gjera për abuzime seksuale që nga fillimi i luftës.
Pas sulmit të pretenduar ndaj vajzës së vogël dhe ndaj prindërve të saj, dy ushtarët hynë në shtëpinë e një çifti të moshuar, ku i rrahën burrë e grua, thanë prokurorët, dhe dhunuan një grua 41-vjeçare shtatzënë dhe një vajzë 17-vjeçare.
Sipas prokurorëve, në një vend tjetër, ku jetonin disa familje, ushtarët i detyruan të gjithë njerëzit që të shkonin në kuzhinë dhe dhunuan në grup një vajzë 15-vjeçare dhe nënën e saj.
Prokurorët thanë se të gjithë të sulmuarit kanë mbijetuar dhe se atyre po u ofrohet asistencë mjekësore e psikologjike.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës thotë se është duke udhëtuar mbi 71 mijë raportime për krime luftë, të cilat i ka pranuar që nga fillimi i pushtimit rus.
Edhe pse ka pak gjasa që të dyshuarit të dorëzohen nga Rusia, kushdo që dënohet në mungesë, mund të vendoset në listat ndërkombëtare të të kërkuarve, masë që e vështirëson udhëtimin e tyre.