Live

UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi

15:56 / 23 Prill 2024

Nga Kosova Live

Me rekomandimin e Këshillit të Etikës, Rektori i Universitetit të Prishtinës ka aprovuar vendim për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.

Paraprakisht, në mbledhjen e së martës, Këshilli i Etikës kishte rekomanduar suspendimin e profesorit Xhevat Krasniqi, dhe dërgimin e rastit të tij në organet kompetente.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xhevat Krasniqi me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektoratit Qerim Qerimi.

Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të UP’së se i kishte ngacmuar seksualisht.

Ndryshe, sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit që jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesë.

Shpërndaje në

U Kopjua