Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Zvonko Veselinoviq, njërin nga njerëzit më të afërt të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Këtë e konfirmoi për lajmi.ne, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka lëshuar letër-reshtim vendor dhe ndërkombëtar për Veselinoviqin, nën dyshimet se ai ka kryer disa vepra penale, përfshirë “pjesëmarrje e organizim i grupit kriminal”.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special – duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndaj të pandehurit Z.V., ka lëshuar urdhërarrest, letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar, bazuar në dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, nga neni 283, paragrafi 3 lidhur me nenin 174 paragrafi 3, neni 365 paragrafi 4 dhe neni 179 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, Veselinoviq është vënë në kërkim për ngjarjet të cilat pasuan ndërhyrjen e njësiteve speciale në korrik të 2011-s.
Njësitë speciale, në atë kohë, kishin ndërhyrë në veri ndërsa gjatë tërheqjes ishte vrarë polici Enver Zymberi, ndërsa pika kufitare e Jarinjës ishte djegur nga serbët.
I dyshuar për një sërë veprash penale dhe si udhëheqës i grupit të organizuar kriminal në veri të Mitrovicës, Veselinoviqi tani do të kërkohet përmes fletarrestit ndërkombëtar.
Zvonko Veselinoviq, së bashku me vëllanë e tij, ishin arrestuar në vitin 2011 në Serbi, por që më pas ishin liruar.
Ai dyshohet se ka lidhje të forta edhe me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili gjithashtu është duke u kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar si i përfshirë në vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq.