Live

Vandalët serbë sulmojnë Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë

08:30 / 15 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Një sulm vandal mbi objektin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës është shënuar të mërkurën në mëngjes, ka njoftuar Ministri në dorëheqje  i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se dyshimet e para tregojnë se Stema e Shtetit të Kosovës në hyrje të Konsullatës është dëmtuar nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë.

 “Sot, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës si dhe është dëmtuar Stema e Shtetit të Kosovës nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë. Ne e dënojmë këtë veprim qyqarë që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova po punon me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë teksa ka shtuar se sulmet e tilla tregojnë “vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk do të kuptojë se që 11 vjet në Ballkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës”.

“E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në fund.

Sipas njoftimit të Pacollit, me këtë rast është vandalizuar edhe stema e ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagë, objekt ku janë të vendosura të dy misionet diplomatike.

Shpërndaje në

U Kopjua