Live

Varhelyi shpreh keqardhje pasi i quajti disa eurodeputetë “idiotë”

14:50 / 15 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka shprehur keqardhje për komentet e tij, një ditë pasi u dëgjua në sallën e Parlamentit Evropian (PE) teksa i quajti disa eurodeputetë “idiotë”.

Gjatë debatit për zgjerimin, që u mbajt më 14 shkurt në PE, derisa mikrofoni i tij ishte ende i ndezur, Varhelyi iu drejtua shefit të kabinetit të tij në gjuhën e tij amtare hungareze me pyetjen: “edhe sa idiotë kanë mbetur?”. Kjo pyetje i referohej numrit të përfaqësuesve që do t’i bënin pyetje lidhur me ndikmin e Rusisë në Ballkan.

“Unë sinqerisht shpreh keqardhje për keqkuptimin rreth një komenti që kam bërë gjatë debatit në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Ky ka qënë një diskutim privat në hungarisht mes meje dhe shefit të kabinetit tim për një çështje krejt tjetër. Kjo është nxjerrë jashtë kontekstit dhe unë kërkoj falje për çfarëdo keqkuptimi”, ka thënë Varhelyi.

Deputeti nga Hungaria në parlamentin Evropian, Sandor Ronal ka shkruar menjëherë në rrjetet sociale se komisioneri ka fyer deputetët dhe tërë Parlamentin Evropian dhe se ai duhet të japë dorëheqje.

Deputeti nga Kroacia, Tomislav Sokol, i cili ka bërë pyetjen pas së cilës Varhelyi ka bërë këto komente, tha se ai pret “së paku kërkim falje publike ndaj tij dhe Parlamentit Evropian”. Sipas Sokol, edhe më e rëndësishme se kërkimfalja është që “komisioneri Varhelyi të jetë i paanshëm në raportet me Serbinë dhe presidentin Vuçiq”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, i pyetur nga gazetarët se çfarë ka ndërmarrë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pas këtij incidenti, tha se “ajo pret nga të gjithë anëtarët e Komisionit Evropian që të tregojnë respekt ndaj të gjitha institucioneve të BE-së dhe të evitojnë sjelljet të cilat mund të shihen si mungesë respekti”.

Për një kohë të gjatë, Parlamenti Evropian e ka në shënjestër komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi Varhelyi, të cilin e ka kritikuar me dyshime se është “tepër i afërt” me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe me liderin e serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik.

Madje, përmes një Resolute, Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Komisioni që të kryejë hetime të brendshme për sjelljen e tij.

Anëtarë të PE-së dyshojnë se Varhelyi ka ndërhyrë për të anashkaluar shkeljen e vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në disa vende që aspirojnë anëtarësimin në BE, sidmos Serbinë.

“Parlamenti Evropian mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet se komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim me qëllim bën përpjeklje që të anashkalohet dhe ulet rëndësia qëndrore e reformave demokratike dhe sundimi i ligjit në vendet që janë në proces të anëtërësimit“, thuhet në atë tekst.

Por Komisioni Evropian është shprehur se “nuk sheh arsye për masa të tilla”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...