Përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, ka paditur Ministrinë e Drejtësisë, e cila me anë të një vendimi të marrë më 28 shkurt të këtij viti e ka pushuar nga detyra.
Mulhaxha, i cili është vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendi i Kosovës, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ishte pushuar nga puna me arsyetimin se Komisioni Disiplinor i Ministrisë, kishte gjetur shkelje dhe kishte vlerësuar që ai duke kryer veprime përmbarimore në kundërshtim me ligjin. Vendimin për largimin e tij nga puna e kishte nënshkruar dhe kumtuar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Për padinë e ushtruar ndaj këtij vendimi ka njoftuar avokati Arianit Koci në ‘Facebook’-un e tij.
“Ju njoftoj se Shoqëria e Avokatëve Koci & Vokshi jemi autorizuar nga kolegu ynë përmbarues Ilir Mulhaxha, për ta përfaqësuar në rastin e shkarkimit të tij nga funksioni i Përmbaruesit Privat. Me këtë rast, dje kemi dorëzuar Padinë për anulimin e vendimit si dhe kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi”, ka shkruar Koci në Facebook.
Avokati Koci ka thënë se janë të bindur se gjykata do t’u japë të drejtë argumenteve të tyre, ngase siç thotë ai, vendimi për shkarkim është krejtësisht i paligjshëm.
Postimi i plotë:
Ju njoftoj se Shoqëria e Avokatëve Koci & Vokshi jemi autorizuar nga kolegu ynë përmbarues Ilir Mulhaxha, për ta përfaqësuar në rastin e shkarkimit të tij nga funksioni i Përmbaruesit Privat. Me këtë rast, dje kemi dorëzuar Padinë për anulimin e vendimit si dhe kërkesën për shtyerjen e ekzekutimit të këtij vendimi.
Unë dhe kolegu Granit Vokshi, jemi të bindur se Gjykata do t’i japë të drejtë argumenteve tona, ngase vendimi për shkarkim është krejtësisht i paligjshëm dhe si i tillë e cenon rëndë sigurinë juridike në Kosovë.