Gratë në Afganistan janë ato që jetojnë nën regjimin më represiv në botë ndaj tyre, atë të talebanëve. Në një deklaratë të publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Misioni i OKB në këtë vend i kërkoi Afganistanit të heqë kufizimet e ashpra që kanë vendosur ndaj popullsisë femërore që prej riardhjes në pushtet.
“Afganistani nën pushtetin e talibanëve, mbetet vendi më represiv në botë në lidhje me të drejtat e grave. Veprimet e grupit për të shtypur të drejtat e grave kanë qenë metodike, të qëllimshme dhe sistematike. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kombet e Bashkuara në Afganistan po përsërisin thirrjen e tyre ndaj autoriteteve de facto të vendit për të larguar kufizimet e ashpra mbi të drejtat themelore të grave dhe vajzave”, tha Roza Otunbayeva, përfaqësuese e OKB në Afganistan.
Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s në gusht të vitit 2021, kur grupi radikal islamik mori në duar frerët e shtetit të shkatërruar nga lufta, fillimisht premtoi se do të mbështeste të drejtat e minoriteteve dhe të grave. Megjithatë, talebanët ju rikthyen shpejt linjës së ashpër, duke shtypur më tej të drejtat egrave, duke kufizuar liritë, madje edhe përmes ndalimit të arsimimit pas klasës së 6. Gratë janë shumë të kufizuara kur bëhet fjalë për të udhëtuar dhe punuar jashtë shtëpisë. Ato janë të detyruara të mbulohen me shami në publik, si dhe u ndalohet të punojnë për OJQ-të vendase dhe ndërkombëtare.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila publikoi raportin e saj më 7 mars, shkalla e punësimit për gratë afgane ka rënë me 25 për qind që kur talebanët rimorën pushtetin. Rreth 20 gra organizuan një demostratë të pazakontë në Kabul duke u kërkuar ndërkombëtarëve të garantojnë mbrojtjen e Afganëve./A2 news