Reshjet e shiut nga e shtuna kanë shkaktuar vërshime të shumta edhe në rajonin e Vushtrrisë.
Dëme të mëdha ka në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë. Banorët thonë se po mundohen ta heqin vetë ujin, pasi komuna nuk iu ka dalë në ndihmë.
Remzi Gërguri, banor i fshatit Pestovë, thotë për KosovaPress se qysh nga mbrëmë anëtarët e tjerë të familjes nuk kanë mundur të dalin nga shtëpia për shkak të vërshimeve. Gërguri kërkon nga komuna t’u bëjë banorëve një zgjidhje të menjëhershme.
“Kemi telashe, kemi pas më herët, por tash rruga që po ndreqet e ka bllokuar pjesën tjetër dhe uji nuk ka nga të shkojë. Nëse nuk na lënë një gyp të lidhemi me kanalizim të rrugës, ne çdo herë do të kemi probleme… Nuk mund të dalim nga shtëpia, kemi bllokuar dhe fëmijët kanë mbetur brenda… I kemi lajmëruar të gjithë, askush nuk ka ofruar ndihmë. Kanë ardhur të tjerët të na ndihmojnë me traktorë privat prej mëngjesit. Nuk kanë ardhur të komunës, emergjenca ka qenë e ka shikuar gjendjen dhe ka thënë se ka telashe në gjithë Vushtrrinë dhe më askush nuk ka ardhur. Nuk dimë çka të bëjmë tjetër dhe ku të lajmërohemi…Në këmbë nuk kalohet, ne po duhet të zbathemi për të hyrë brenda. Kërkojmë zgjidhje nga komuna të na e largojë ujin nga këtu”, tha Gërguri.
Edhe Zeqir Gërguri ka adresuar kritika në adresë të komunës, e cila nuk ka intervenuar për këtë situatë.
Gërguri thotë se një familjar është duke iu ndihmuar për ta hequr ujin, ndryshe sipas tij do ishte e papërballueshme.
“Është hera e tretë që po ndodh dhe është shumë problem, është dashur të intervenohet më herët, por s’kanë bërë asgjë… Ne tash e kemi mbyll me një bager privat… Erdhi dhëndri që të na ndihmojë, ndryshe nuk kemi mundur të bëjmë asgjë, me lopata nuk hiqet uji…Dhëndri ka ardhur dhe na ka ndihmuar në mënyrë vullnetare”, tha Gërguri.