Live

Vërshimet në Kosovë, këto vendbanime kanë mbetur pa ujë

14:27 / 20 Nëntor 2022

Nga admin

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se për shkak të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit ( NTU është mbi 90) si shkak i reshjeve të dendura atmosferike, e bën të pamundur trajtimin e ujit në Shkabaj, sepse uji është jashtë çdo standardi me të cilin mund të trajtohet në Impiant.

Sipas KRU “Prishtina”, si pasojë e mos kryerjes së punëve nga NH Ibër Lepenc në kanal, zotim për të cilin kishin marrë edhe me tarifë më të lartë nga ARRU, po të njëjtit nuk kanë mbajtur konfirmimet kontraktuale.

“Si pasojë e kësaj, Fushë Kosova mbetet pa furnizim me ujë duke filluar nga ora 10:00 dhe do zgjasë deri në përmirësimin e situatës me turbullirë e në të njëjtën kohë çrregullime të furnizimit me ujë do të ketë edhe komuna e Drenasit”, thuhet në njoftim.

Gjendje e vështirë pas reshjeve të shiut është edhe në Komunën e Gjakovës, derisa probleme me ujë të pijes kanë disa fshatra në këtë komunë.

KRU “Gjakova”, ka njoftuar se si pasojë e situatës së krijuar nga të reshurat kanë problem me furnizim për banorët e fshatrave të Rëkës së Keqe, të cilëve aktualisht iu është ndërprerë furnizimi me ujë.

“Po ashtu njoftojmë banorët e fshatit Gërqinë të cilët furnizohen përmes burimit vetanak për momentin uji nuk është i pijëshëm si pasojë e turbullirës. Sigurojmë konsumatorët se ekipet e KRU “Gjakova” janë mobilizuar që në orët e para të ditës në stabilizim të gjendjes”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në

U Kopjua