Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka takuar sot në zyrat e partisë, shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolovën me të cilën ka biseduar rreth procesit zgjedhor të 6 tetorit.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kreut të PDK’së, thuhet se vlerësimi për procesin ka qenë pozitiv dhe një dëshmi për pjekurinë e institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë Veseli ka thënë se si opozitë do të jenë shumë efikas dhe do të jenë zëri i qytetarëve të Kosovës.
“Gjatë takimit me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Znj. Nataliya Apostolova diskutuam për zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe sfidat që na presin. Theksuam se procesi ishte në përputhje më standardet më të larta të demokracisë duke dëshmuar një pjekuri të institucioneve tona. Partia Demokratike do të jetë një opozitë efikase dhe konstruktive që do të ketë në qendër të veprimtarisë të saj zërin e qytetarit dhe interesin e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Se PDK’ja do të shkojë në opozitë, Veseli e ka thënë edhe në orët e vona të 6 tetorit kur edhe ka pranuar humbjen.