Live

“Vetëvendosja” – fushatë vardisjesh ndaj LDK-së

08:55 / 10 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Lëvizja “Vetëvendosje” ka nisur një fushatë vardisjeje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një koalicion parazgjedhor. Vazhdës së këtyre vardisjeve iu bashkua mbrëmë edh ajo e nënkryetarit të kësaj parie, Besnik Bislimi, i cili tha se “Vetëvendosja” është e gatshme që të shkojë në një koalicion parazgjedhor me LDK-në.

“Koalicioni parazgjedhor me LDK-në është i mundshëm gjithsesi, sepse ne kemi treguar avantazhet që do të mund të dilnin për qytetarin e Kosovës, për dy mandate të ardhshme me këtë koalicion”, ka thënë Bislimi në KTV.

Bislimi ka thënë se sa herë që dy parti kanë garuar bashkë në koalicion kanë marrë vota më pak sesa që do të mund të merrnin ndaras, por koalicioni VV-LDK do ta ndryshonte këtë gjë.

“Do të ishte i vetmi koalicion që do ta tejkalonte numrin e votave që do të mund të merrnin ndaras. Sepse e kap një votues i cili është i fjetur dhe ka humbur shpresën, dhe dëshiron që të bëhet pjesë e ndryshimit radikal. Dhe së dyti, ka edhe një masë të votuesve që dëshirojnë të votojnë për fituesin. Nëse mendojnë se Vetëvendosje fiton e votojnë VV-në, por padiskutim do të votonin për fituesin që do të ishte i pakontestueshëm LDK-VV”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk kanë mundur të zhvillojnë biseda me këtë parti për këto çështje, meqë LDK-ja e Isa Mustafës ka qenë në proces zgjedhor të brendshëm, e madje nuk e ka përfunduar ende, ndonëse është zgjedh kryetari i partisë.

Ai ka thënë se posti i kryeministrit nuk është pikë ndarëse mes këtyre dy partive.
“Me LDK-në kemi fol për konceptet që duhet me i përçu, që s’ka kompromis me korrupsionin, me nepotizmin. Nuk duhet të lidhemi për individët, e as që biseda të bëhet për individ. Duhet fillimisht të përbashkohet programi, e më pas të vendoset se kush është figura që më së miri do ta zbatojë atë program”, ka thënë ai.

Bislimi është pyetur nëse Isa Mustafa është “argat i Serbisë”, siç i thoshte Vetëvendosje në protesta sa ky i pari ishte kryeministër, e VV-ja në opozitë. Ai ka thënë: “gjykojnë individët për veprimet që bëjnë e jo si individ”.

Shpërndaje në

U Kopjua