Live

VIDEO | Tri vjet pas përurimit, palestra në Istog afër shkatërrimit

13:57 / 10 Mars 2023

Nga Kosova Live

E nisur të ndërtohet në vitin 2004, palestra sportive në Istog arriti të përurohet vetëm pas 16 viteve. Kur kanë kaluar tri vjet nga hapja e saj, palestra sportive në Istog nuk plotëson kushtet minimale për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Me vlerë prej 300 mijë eurove, palestra e sporteve në Istog kishte hasur në probleme ende pa u hapur zyrtarisht. Në janar të vitit 2020, çatia e palestrës kishte pësuar dëme të konsiderueshme nga erërat e forta në Istog.

Kur kanë kaluar tre vjet nga përurimi zyrtar i saj, palestra e sportit në Istog është afër shkatërrimit.

Pas kushteve atmosferike jo edhe fort të mira, palestra ka pësuar dëme të konsiderueshme në çatinë dhe muret e saj.

Si pasojë e probleme në çati, palestra e sporteve është mbuluar e tëra nga uji.

Fikret Shatri, trajner i klubit të basketbollit të qytetit ka publikuar pamje të mjerueshme nga gjendja e palestrës në Istog.

Në pamjet e publikuara nga Shatri, shihet qartë se palestra është mbuluar e gjitha nga uji, teksa drejtuesit e klubit janë munduar sado pak të ruajnë parketin e palestrës.

Kjo nuk është hera e parë që palestra ndodhet në këtë gjendje. Kjo situatë ndodhë pas çdo reshje atmosferike në qytetin e Istogut.

Klubet e sportit në qytetin e Istogut e kanë të pamundur zhvillimin e aktiviteteve sportive. Ndërkaq, drejtoria e sportit në këtë komunë thotë se palestra e sportit është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti.

MKRS-ja në një përgjigje për Klan Kosova javën e kaluar ka thënë se ministria njëherë nuk mund të bëjë asgjë për shkak të kodit buxhetor.

“Bazuar në ligjin e buxhetit nuk posedojmë kod buxhetor, prandaj në momentin që Qeveria e Kosovës merr vendim për dëmet të cilat janë shkaktuar bazuar në raportet e dorëzuara nga komuna e Istogut do të vazhdohet me procedurat përkatëse”, thuhej në përgjigjen e MKRS-së.

Palestra e sportit në Istog ishte përuruar në tetor të vitit 2020 në ndeshjen e hendbollit mes Istogut dhe Vushtrrisë.

Në këtë palestër ishin zhvilluar edhe ndeshje ndërkombëtarë, ndërsa ishte paraparë që në prill të këtij vitit të zhvillohej edhe ndeshja kualifikuese për Kampionatin Botëror në hendboll.

Shpërndaje në

U Kopjua